Durrës
Qiramarrësit protestojnë në të ftohtë: Bankat nuk na japin kredi. Kundërshtojnë përmbarimin
Vali Qyrfycci
Në të ftohtë dhe në prag të festave të fundvitit, në Durrës ka filluar lirimi i banesave të ish-pronarëve, gjë që ka shkaktuar protesta në qytet. Janë qindra familje durrsake që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, të cilët kërkojnë rikthim të banesës.
Banorët që duhet të lirojnë ambientet ku kanë qëndruar për vite me radhë dhe për të cilat kanë paguar qira në mënyrë periodike.
Në kohën e privatizimeve ata nuk arritën dot të përfshiheshin në këtë proces dhe pas vendimit të muajit nëntor, aktit normativ të Këshillit të Ministrave, është përmbushur afati që parashikonte largimin e tyre nga banesa.
Situata
Për orë të tëra familjarët e së parës godinë nga ku ka nisur lirimi, si dhe protestuesit e tjerë kanë qëndruar në të ftohtë duke kundërshtuar veprimet e përmbarimit dhe policisë. Situata është acaruar, ndërsa të ftohtët dhe tensioni ka ndikuar dhe në gjendjen shëndetësore të familjarëve, njëri prej të cilëve ka përfunduar në urgjencën e spitalit. Në mbështetje të zyrës së përmbarimit dhe policisë private kanë qenë dhe shërbimet e policisë së rendit publik, të cilat kanë qenë të vendosura për të zbatuar aktin normativ të Këshillit të Ministrave. Procesi i lirimit të banesave të pronarëve ka nisur nga Rruga Tregtare, pranë Bashkisë së Durrësit ku përmbarimorët janë shfaqur për të ekzekutuar urdhrin mbi lirimin e katit të dytë të një ndërtese në pronësi të familjes Goxhaj. Akti i ndërmarrë ka nxitur jo vetëm reagimin e familjarëve që u nxorën jashtë, por edhe të anëtarëve të tjerë të shoqatës së qiramarrësve që ndajnë të njëjtin problem me ta dhe pritet të lënë shtëpitë në ditët e ardhshme:
“Do të qëndrojmë këtu deri në flijim. Nuk kemi asnjë mundësi strehimi”. Ata shprehen të dëshpëruar për situatën e tyre, ndërsa ndihen të nëpërkëmbur nga zbatimi i një akti antikushtetues, që mbi të gjitha u cenon fort të drejtën për jetën, shëndetin dhe strehimin.
Alternativat
Sipas protestuesve, bankat kanë refuzuar t’u japin kredi për shtëpi për shkak të pasigurisë në likuidim.
Dje në zbatim të vendimit për lirimin e banesave nuk ka marrë pjesë në proces përfaqësuesi i bashkisë. Ai duhet të ishte prezent gjatë zbrazjes së dhomave nga pajisjet e qiramarrësve, gjë që ka vështirësuar ekzekutimin e urdhrit ekzekutiv.
Disa ditë më parë u njoftua paraprakisht nëpërmjet urdhrave ekzekutivë të lëshuar nga Enti i Banesave, lirimi i shtëpive ku janë strehuar prej dekadash qiramarrësit shtetërorë, të cilët nuk mundën të privatizojnë banesat e tyre, si shumica e qytetarëve shqiptarë.