Asnjë projekt i ri për rrugët. Fushata rrit shpenzimet
Për shkak të zgjedhjeve parlamentare, qeveria synon rritjen e mëtejshme të borxhit, me 9%
ARD KOLA
Buxheti i vitit 2013 parashikon rritje të ardhurash me 20 miliardë lekë (360 miliardë lekë), rritje të shpenzimeve me 30 miliardë lekë (buxheti 409 miliardë lekë) dhe rritje të borxhit me 70 miliardë lekë (totali 895 miliardë lekë). Ky është skenari i miratuar nga Kryeministri Berisha, në raport me të parin, me deficit të lartë buxhetor, afër 49 miliardë lekë, duke sjellë kapërcimin e borxhit publik në 62.6 për qind të PBB-së.
Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.3 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.7 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 për qind të PBB-së, nga ku të ardhurat prej tatimeve e doganave parashikohet të jenë 255.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.4 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2012, ose rreth 17.8 për qind të PBB-së. Plani i të ardhurave bazohet tek arkëtimet e taksës TVSH (20 për qind shkallë tatimore), me afro 128 miliardë lekë. Duke analizuar shifrat dhe ecurinë e deritanishme, qeveria rrezikon të rishikojë sërish planin kur të nisë zbatimi në 2013-n, pasi ambicia për rritje 5.7 për qind duket e parealizueshme (në dy vitet e fundit, rritja 2.5 për qind). Në raport me PBB-në, të ardhurat do të jenë 25.2 për qind, shumë më poshtë se vitet e kaluara (shiko grafikun), si dhe akoma e më keq në raport me vendet e rajonit që janë 30 për qind e PBB-së, për shkak të informalitetit të lartë në vend. Qeveria nuk parashikon politika të reja taksash për vitin tjetër, por vetëm rregullime për administrimin e tyre.
Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6 për qind e PBB-së. Ky buxhet mban një deficit prej 3.4 për qind të PBB-së dhe një plan investimesh me gati 5 për qind të PBB-së, ose 71 miliardë lekë. Investimet publike, 65 për qind, bazohet te huamarrja nga të huajt, pra do të jetë borxh me risk shkaktuar nga kursi i këmbimit në të ardhmen. Projekte të reja rrugore nuk do të ketë, dhe do të synohet përfundimi i atyre të nisura.
Në fjalimet e zyrtarëve në qeveri mbizotëronte “rritja e pensioneve” dhe “e pagave”. Plani i qeverisë synon rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5 për qind (arsim e shëndetësi 3-4 për qind); rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4 për qind për qytetin dhe 5 për qind për fshatin. Fatura për të dyja këto kategori llogaritet të rritet me të paktën 3 miliardë lekë, plus 3 miliardë lekë të tjera për ish të përndjekurit politikë. Në total, fatura e pensioneve do të arrijë vitin tjetër në 90 miliardë lekë, për shkak të politikës së qeverisë, e cila ndërhyn kryesisht në kohë fushatash. Për shkak të zgjedhjeve, qeveria synon t’i rrisë më tepër shpenzimet se sa të ulë borxhin, në rast se do të vjelë të ardhurat nga shitja e “Albpetrolit”. Borxhi do të arrijë në 895 miliardë lekë, me një rritje gati 9 për qind në raport me 2012-n, kurse interesat shkojnë në 60 miliardë lekë, tendencë edhe kjo në rritje nga njëri vit në tjetrin.
Fatura elektorale
Për pagat dhe pensionet, me rritjen e tyre në prag të zgjedhjeve, fatura pritet të rritet me 30 miliardë lekë, ku vetëm për pensionistët do të paguhen plot 90 miliardë lekë. Fatura rritet edhe për borxhin, ku për interesat do të paguhet 60 miliardë lekë.
Nasip Naço: Trishtohem me buxhetin e Beratit për rrugët, votë kundër po s’ndryshoi
Deputeti i LSI, ish-ministër i Ekonomisë në qeverinë Berisha, Nasip Naço, u shpreh me keqardhje për buxhetin e vitit 2013, sa i takon Qarkut të Beratit për ndërtimin e rrugëve. Sipas tij, në këto vite janë hedhur rreth 22 milionë euro investime për 100 km rrugë, kryesisht në zona rurale, por janë shumë pak në raport me çfarë kanë përfituar qarqet e tjera.
“Do t’i bëj oponencë buxhetit, pasi konstatoj me shqetësim faktin se Ministria e Punëve Publike e ka anashkaluar Qarkun e Beratit, apo qytetin mbi 2400-vjeçar”, u shpreh Naço gjatë fjalës në Kuvend për buxhetin e shtetit 2013. Duke u ndalur te projekti i rrugës Berat-Lushnjë, e cili kap vlerën e mbi 400 milionë lekëve, deputeti i LSI-së vuri në dukje faktin se për vitin 2013, janë caktuar vetëm 9 milionë lekë, kurse në 2012-n ishte 19 milionë lekë. “Shoh me keqardhje që shqetësimi ynë nuk është reflektuar. Shoh Rrugën e Arbrit që avancon me punimet, apo akset e tjera, por do të doja që rrugët Berat-Lushnjë dhe Berat-Fier të kishin po të njëjtën vëmendje. Qytetarët e Beratit nuk kanë rrugë për të hyrë në qytetin e tyre. Trishtohem për rrugët e Skraparit, të cilat ekzistojnë si projekte në letër për shumë vite dhe pak është bërë”, u shpreh me ton të lartë Naço, duke shtuar se “qeveria duhet të kishte parashikuar mbushjen e gropave për rrugët e këtij qarku”. Deputeti i LSI-së, forcës politike aleate të qeverisë, tha se po fliste në emër të qytetarëve të Beratit dhe se shpresonte që në diskutimet e buxhetit nen për nen javën e ardhshme, qeveria të marrë në konsideratë kërkesën për më shumë fonde, në të kundërt do të votojë kundër.
Erjon Braçe: Shqiptarët varfërohen, Berisha dhe ministrat, miliarda lekë për vilat
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, kritikoi me shifra premtimet e parealizuara të Kryeministrit Berisha në këto gati 8 vjet pushtet, duke varfëruar më tej shqiptarët dhe zhytur në luks pushtetarët përreth tij.
“Buxheti ka para për Presidentin, rehatin dhe komoditetin e tij: 130 milionë lekë për pajisje zyrash, konferencash dhe sigurinë e tij dhe 20 milionë për ‘pajisje leximi teksti para kamerës’. Buxheti ka para edhe për Kryetaren e Kuvendit, për tulla e llaç, tenderë, si rasti i 80 milionë lekëve për rikonstruksione dhe pajisje zyrash. Buxheti ka para pa hesap edhe për Kryeministrin, për të njëjtën gjë, tulla e llaç: 130 milionë lekë për rikonstruksione ambienti në selinë e tij”, ishin disa nga faktet e paraqitura në Kuvend prej deputetit Braçe. Pavarësisht varfërisë ku janë përfshirë shqiptarët, përfshi këtu edhe shtresat nën nevojë, si invalidët etj., deputeti i PS-së vë në dukje faktin se, për vitin 2013 qeveria do të shpenzojë gati 3.2 miliardë lekë për pajisje zyrash dhe mobilime luksi.
“Buxheti ka para edhe për qejfin e të gjithë këtyre bashkë, për vilat qeveritare anë e mbanë vendit: 23 milionë lekë për projektim e studim të ambienteve të brendshme te Vila 1 dhe ambienteve ndihmëse në Vlorë, si dhe qindra milionë lekë të tjera për vilat në Durrës, Velipojë dhe në Dhërmi”, tha ai. Braçe thotë se Berisha i gënjeu shqiptarët për shumë premtime që nuk i mbajti, përfshi edhe atë të linjës energjetike me Kosovën, duke hedhur dyshime mbi interesat e Kryeministrit për shkak të vonesave të pashpjegueshme.