Komunitetet fetare, më shumë katolikë së ortodoksë
Muhamed Veliu
INSTAT ka përfunduar përpunimin e të dhënave të mbledhura nga censusi dhe pritet të deklarojë rezultatet më datë 13 dhjetor. Por “Top Channel” nga burime diplomatike në Tiranë, ka mundur të sigurojë përfundimet e Censusit 2011, për dy prej aspekteve më të rëndësishme të tij, që janë kombësia dhe feja. Pyetjes në formularin e censusit që lidhet me kombësinë, i janë përgjigjur si shqiptarë 83% e të pyeturve. Një e dhënë tjetër interesante lidhet edhe me numrin e minoritetit grek në Shqipëri, për të cilin ka pasur debate të vazhdueshme. 0,87% është numri i atyre që e kanë deklaruar kombësinë si greke, ndërsa 0,2% janë deklaruar me kombësi maqedonase. Të dhënat për besimin fetar të shqiptarëve të mbledhura nga censusi tregojnë se 57,12% janë deklaruar si myslimanë, 10,11% katolikë, ndërsa 6,8% ortodoksë. Ateistë janë deklaruar 2,52%, bektashianë 2,11%, ndërsa evangjelistë 0,11%. Rezultatet e censusit, që lidhen me kombësinë, pritet të prodhojnë debate të forta, veçanërisht nga shoqata e minoritetit grek, të cilat janë shprehur kundër censusit dhe kanë ndërmarrë një regjistrim të tyrin të minoritarëve në jug të vendit. Një tjetër shifër që bie në sy është ajo e komuniteteve fetare, më saktë atij të krishterë, ku për herë të parë zyrtarisht bashkësia katolike, sipas shifrave të censusit, është më e madhe se ajo ortodokse. Disa javë më parë, INSTAT-i publikoi disa të dhëna paraprake, nga ku rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2 831 741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga censusi i vitit 2001 ishte 3 069 275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri, popullsia, e cila jeton në zonat urbane, është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Censusi 2011 në Shqipëri është i 11-i në historinë e censuseve të kryera në vendin tonë. Ai është pjesë e censuseve të planifikuara nga UNECE/EUROSTAT në të gjithë botën.
Kombësia
- Shqiptare 83%
- Greke 0,87%
- Rome 0,3%
- Aromune 0,3%
- Maqedonase 0,2%
- Egjiptiane 0,12%
- Malazeze 0,01%
- Të tjerë 0,1%
- Nuk u përgjigjën 14,07
Feja
- Islame 57,12
- Katolike 10,11
- Ortodokse 6,8
- Bektashiane 2,11
- Evangjelistë 0,11
- Kristiane (të tjerë) 0,1%
- Ateistë 2,52
- Besimtarë të pakarakterizuar 5,53
- Besime të ndryshme 00,2%
- Nuk u përgjigjën 13,89%