Digjet transformatori në kabinën elektrike. CEZ: Nuk kemi para për riparimin e defektit


Rreth 800 banorë të fshatit Gjyralë të Komunës Gostimë në Elbasan prej një jave janë zhytur në errësirë të plotë. Shkak për këtë është bërë djegia e transformatorit në kabinën elektrike dhe CEZ Shpërndarje pretendon se nuk ka para për të riparuar defektin. Kryetari i komunës në fjalë, Qamil Boja, thotë se situata është bërë shumë e vështirë dhe se CEZ-i është mjaft e papërgjegjshme për të marrë masat ndaj situatës së krijuar. Boja e ka ngritur shqetësimin deri te ministri i Energjetikës, Edmond Haxhinasto, por edhe ky i fundit është treguar i pafuqishëm për të negociuar me kompaninë që vepron sipas dëshirës, ndonëse banorët e Gjyralës janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike.


“Nuk po di si të veproj me punonjësit e CEZ-it. Askush nuk më ngre telefonin apo më jep një përgjigje për zgjidhjen e problemit. Kjo situatë nuk dihet edhe sa do të zgjasë, sepse nuk ka vullnet për riparimin e defektit. Banorët janë të shqetësuar për situatën, të cilët kërkojnë rikthimin e energjisë. Nuk e kuptoj se si janë kaq të papërgjegjshëm. Nuk po di më se si të veproj dhe nuk po i jap dot zgjidhje kërkesës së banorëve për rikthimin e energjisë elektrike. Kam lëvizur të gjithë gurët që kam pasur në dorë, por asgjë”, ankohet kreu i Komunës Gostimë. Ndër të tjera, Boja thotë se tani banorët kanë nevojë për energji elektrike më shumë se kurrë, pasi ndodhemi në stinën e ftohtë. Më shqetësuese situata bëhet për fëmijët, të cilët duhet të mësojnë nën dritën e qiririt. Banorët kërkojnë zgjidhjen e menjëhershme të situatës, pasi gjendja është alarmuese. Bizneset kanë pësuar humbje të mëdha financiare. Të gjitha produktet ushqimore që kanë pasur në frigorifer, u janë prishur e për pasojë i kanë hedhur. Ndërsa disa të tjerë i kanë vënë drynin biznesit, sepse pa energji elektrike është e pamundur që të punohet, sidomos lokalet. Fshati Gjyralë ka gjithsej 1500 banorë dhe ai furnizohet me dy transformatorë, njëri prej të cilëve është jashtë funksionit,duke lënë gjysmën e zonës në terr. Kjo nuk është hera e parë që kompania çeke lë më ditë të tëra konsumatorët pa energji. Madje ata nuk kanë ngurruar që t’u kërkojnë para për blerjen e vajit të transformatorit nga ana e konsumatorëve, në një kohë që ajo e ka të detyrueshme të bëjë investime në rrjetin elektrik, për t’u siguruar energji kontraktuesve të saj. Në shumë raste, të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, banorët janë hedhur në protesta të dhunshme, duke pushtuar edhe nënstacionet elektrike, apo bllokuar rrugët kryesore, për të kërkuar në forma të ndryshme një të drejtë që atyre u takon me ligj.