Startojnë sot çerekfinalet me ndeshjet Shkumbini-Skënderbeu dhe Flamurtari-Bylis


Altin Manallari


Pas mbylljes së fazës së parë të Kategorisë Superiore, do të jetë Kupa e Shqipërisë ajo që do të mbajë gjallë emocionet e futbollit shqiptar deri më 23 dhjetor. Trofeu i dytë për nga prestigji në kampionatin tonë do të rikthehet sot me turin çerekfinal. Në fushë do të zbresin Shkumbini-Skënderbeu dhe Flamurtari-Bylis. Për kampionët në fuqi të vendit, të cilët kanë mbyllur një fazë të parë të suksesshme, duke u rikonfirmuar të denjë për të fituar titullin për të tretën herë radhazi, nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Kupa. Edhe pse do të luajnë në Peqin, në letër mendohet që Skënderbeu nuk do ta ketë të vështirë të dominojë përballë Shkumbinit, i cili në këtë fazë të parë të kampionatit ka demonstruar se është një skuadër e brishtë. Megjithatë trajneri Mirel Josa mundohet të mos humbë vigjilencën e futbollistëve të tij. “Edhe pse pozitat aktuale të Shkumbinit në tabelën e klasifikimit të Superiores nuk janë të mira, ne jemi përgatitur maksimalisht, pasi në Peqin na pret një ndeshje e vështirë, u shpreh tekniku i korçarëve. Gara në kupë do të jetë e fortë, pasi janë disa skuadra që kërkojnë të luajnë në Europë. Fakti që Vllaznia dhe Tirana, dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar janë eliminuar pikërisht nga Shkumbini dhe Kukësi, që bëjnë pjesë në të njëjtin grup me Skënderbeun, do të thotë se këta kundërshtarë nuk mund të nënvlerësohen. Ne shkojmë për të marrë fitoren, pasi nuk duam të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Objektivi ynë në këtë sezon është të fitojmë kampionatin dhe kupën, pasi skuadra e ka potencialin e nevojshëm për të triumfuar në të dyja kompeticionet”. Nuk ka vonuar shumë kundërpërgjigjja e Hulian Rubio Sançezit, trajnerit të rivalit më të ashpër të korçarëve në vitet e fundit, Flamurtarit. Skuadra e tij do të luajë po sot ndeshjen e parë në grup kundër Bylisit në Vlorë. Tekniku thotë se është i bindur se tashmë duhet fitorja e kupës, pasi kampionati deri më tani duket një mision i pamundur. “Nuk mund ta fsheh se më pëlqen kupa, edhe pse kjo nuk varet vetëm nga ne. Do të bëjmë gjithçka dhe do të shpresojmë deri në fund. Janë takime të rëndësishme. Unë them se janë ndeshje të vështira, pasi të tria këto skuadra renditen para nesh”, është shprehur Rubio, i cili konsiderohet si ekspert i këtij trofeu, pasi e ka fituar dy herë me Tiranën.


 


 


Kupa e Shqipërisë


Çerekfinalet


 


SOT


Grupi A


14:00 Shkumbini-Skënderbeu


Grupi B


17:00 Flamurtari-Bylis


 


NESËR


Grupi A


14:00 Kukës-Kastrioti


Grupi B


14:00 Laçi-Teuta