Kalon me 74 vota buxheti 2013. Mbi 10 orë diskutime. Replikat opozitë-mazhorancë
Kuvendi miratoi edhe ligjin për heqjen e limitit të borxhit me 73 vota, duke e çuar në 62.6%
Kodheli – “Rritje ekonomike me borxhe, përrallë që nuk vë askënd në gjumë!”
ARD KOLA
Diskutimet mbi 10 orë të 35 deputetëve, ministrave dhe një Kryeministri nuk sollën asnjë surprizë në miratimin final të buxhetit të shtetit 2013. Mazhoranca tregoi arritjet dhe planet për vitin e ardhshëm, kurse opozita shpalosi me shifra dështimet. Përveç batutave dhe humorit, ku në të tilla rastesh nuk mungojnë, buxhetit të shtetit nuk iu shtua ndonjë element shtesë, si p.sh, se çfarë do të bëhet me të ardhurat e mundshme nga shitja e “Albpetrol” (gati 25 për qind e buxhetit), apo me projektet si linja e Kosovës (siguria kombëtare energjetike) ose dhënia me koncesion duke nisur nga janari i 115 km rrugë të Milot-Morinë (me pagesë 5 euro në Durrës-Kukës).
Buxheti u miratua mbrëmë me 74 vota pro dhe 56 kundër të opozitës, kurse ndryshimi i ligjit “Për menaxhimin e buxhetit”, që synon heqjen e kufirit të borxhit, duke e çuar nga 60 në 62.6 për qind, mori 73 vota kur u miratua nen për nen. Sipas Kryeministrit Berisha buxheti i shtetit për vitin 2013 është më i madhi historik, kurse ato çfarë thotë opozita janë gënjeshtra “mbi 2 m gjatësi si të kryetarit të PS-së, bashkë me këpucë”, (sipas tij të numëruara nga INSTAT, vetëm 13 shifra ishin të sakta).
“Sot, diskutohet buxheti i 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Më i madhi në historinë e Shqipërisë, që arrin 410 miliardë lekë, buxhet i cili ka si synim madhor rritjen e mirëqenies suaj të dashur qytetarët dhe qytetare shqiptare”, u shpreh Kryeministri. Berisha nuk la pa thumbuar deputetët e opozitës përmes kreut të tyre, Edi Rama, duke u thënë se, “përveç Fidelit të partisë, ju të tjerët absolutisht, puthuni me Milon për listat që vijnë”.
Pas Kryeministrit, me radhë folën deputetët e opozitës, ku Pandeli Majko ishte më kritik. “‘Doktori’ e di ku po e çon Shqipërinë, porse opozita duhet ta ndalojë këtë. Po përpiqet të sjellë në Shqipëri skenarin e Greqisë, ku qeveritë i pasonin njëra-tjetrës borxhe, duke e zhytur vendin në krizë të thellë. Ky projektbuxhet po e çon vendin drejt greminës. Unë nuk e votoj këtë buxhet, më mirë më pak të varfër se të ngremë dolli me djersën e atyre që nuk kanë lindur akoma”, tha Majko. Deputeti tjetër i opozitës, Ben Blushi i bëri thirrje Kryeministrit që të ikë me nder sa ka kohë. “Nuk dëgjuam një program për shëndetësinë, për bujqësinë etj. Merrni borxh se nuk keni para. Jeni kthyer si ai qejfliu që pas 8 vitesh qëndrimi me qira ikën duke shitur mobiliet e shtëpisë. E gjetët vendin me nivel borxhi publik 4.5 miliardë USD dhe po e leni me 9 miliardë”, tha Blushi. Të tjera kritika vijnë nga deputeti Taulant Balla, sipas të cilit borxhi rritet “për korrupsionin e familjarëve të Kryeministrit dhe se për këtë qëllim korrupsioni Berisha ka vrarë qytetarë shqiptarë”. “Nëse Nanos i thatë ‘ik’, Berishës do i themi ‘zhduku’ dhe kur të vijmë në pushtet pas 23 qershorit, të parin që do të ndryshojmë do jetë ky buxhet”, vijoi më tej deputeti i PS-së, Balla.
“Ne marrim lekë borxh dhe me këto i mburremi vetes, se sa shumë të ardhura kemi në kuletë. Kjo është një përrallë me të cilën nuk zë gjumi askënd, tashmë. Borxhi publik në total për banor është rritur nga 250 mijë lekë në 2008-n në 316,400 lekë”, u shpreh Mimi Kodheli, nënkryetare e PS-së në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Reagimi vjen me radhë nga ministrat e Berishës, si Genc Pollo, Genc Ruli, Sokol Olldashi dhe Ridvan Bode, sipas të cilëve rritja e borxhit nuk u sjell asnjë dëm shqiptarëve, përveçse përmirëson dhe garanton jetesën e brezave të ardhshëm.