Administrator i klubit të futbollit “Partizani”, i dënuar me 10 vite burg për trafik droge
Arrestohet administratori i klubit të futbollit “Partizani”, Paro Laçi, me urdhër të drejtësisë italiane. Ai është dënuar me 10 vite burg, ndërsa është prangosur pasditen e djeshme në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet. Sipas burimeve policore, arrestimi është kërkuar nga Interpol Roma, për shkak të dënimit në mungesë me 10 vite burg nga Gjykata e Milanos në Itali në vitin 2011. Dënimi është dhënë për veprat penale në kuadër të organizatës kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Arrestimi është ekzekutuar nga skuadra e operacioneve speciale e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në afërsi të Parkut të Autobusëve. Sipas policisë, Laçi nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit.
Precedenti
Zyrtari i klubit të futbollit “Partizani” nuk kishte shumë kohë i lirë. Ai la qelinë një vit më parë dhe u çlirua nga akuzat për korrupsion, pasi qëndroi nëntë muaj i izoluar. Asokohe, Paro Laçi dyshohej se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kishin tentuar të ndikonin te gjykatësit e Apelit në Shkodër për lirimin nga burgu të të dënuarit Altin V., i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Sipas prokurorisë, të pandehurit Dhurata Kume, Bledar Kume, Agron Arusha dhe Edmond Temali kishin premtuar një përfitim të parregullt në shumën prej 125 mijë eurosh, me qëllim që të ndikonin te gjykatësit e Apelit Shkodër për të shpallur të pafajshëm të dënuarin Artur V.
Problemet e Laçit
Ndërkohë, problemet ligjore për të nuk kishin të sosur. Administratori i arrestuar ishte paditur para pak muajsh nga ish-presidenti Albert Xhani. Ky i fundit ka regjistruar një padi në Gjykatën e Tiranës në drejtim të ish-ortakut të tij, me pretendimin se në datën 15 dhjetor të vitit 2009 i ka dhënë hua një shumë financiare, të cilën Paro Laçi nuk ia ka shlyer. Padia është depozituar në gjykatë në datën 17 tetor të këtij viti dhe shorti i gjyqtarëve ka përzgjedhur Fatime Deçollin për ta gjykuar këtë çështje.
Paro Laçi është aksioner me 40 për qind të aksioneve te skuadra e futbollit të Partizanit. Ai mban gjithashtu postin e administratorit të të kuqve, ndërsa u shfaq në botën e futbollit rreth 3 vite më parë. Ish-presidenti Albert Xhani, që tashmë ia ka dorëzuar stafetën Lul Sallakut, e bëri pjesë të financimit dhe drejtimit të Partizanit, duke i shitur një pjesë të aksioneve, të cilat Laçi i mbajti edhe pas ndryshimit të presidencës së klubit. Arrestimi i tij vjen një ditë para supersfidës së Kategorisë së Parë, Partizani-Lushnja, ku të kuqtë synojnë fitoren dhe ngushtimin e diferencës me kryesuesit.