Vorë


Albert Çiku dhe Emanuel Ziri marrin plumb në këmbë, largohet autori, Olsi Karagjozi


Silvana Muça


Dy kushërinj janë plagosur pas një atentati në qytezën e Vorës, në periferi të Tiranës. Albert Çiku dhe Emanuel Ziri kanë marrë plumba në këmbë, ndërsa ka dyshime se autori është Olsi Karagjozi. Burime nga Policia e Tiranës thanë se shkak për këtë ngjarje dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës nëpërmjet protagonistëve. Sipas të njëjtave burime, Çiku dhe Karagjozi janë persona me precedentë penalë dhe mes tyre kanë pasur njohje të vjetra. Madje, plagosja ka ardhur si pasojë e një konflikti të mbartur prej kohësh.


Familjarët e të plagosurve bëjnë me dije se Çiku dhe Ziri kanë qenë duke riparuar një defekt të një mjeti. “Alberti kishte shkuar së bashku me Emanuelin te një shoku i tyre për të rregulluar “Benz”-in e tij. Ata nuk e kanë pasur mendjen në kohën që janë qëlluar me pistoletë, sepse kanë qenë duke rregulluar makinën, e për pasojë ishin përkulur. Falënderojmë Zotin që janë mirë dhe jashtë rrezikut për jetën. Të dy janë plagosur në këmbë. Bertit i ka kaluar plumbi tejpërtej dhe i ka shkaktuar dëme te kocka. Ndien shumë dhimbje dhe ka humbur gjak. Nuk është në gjendje që të flasë. Ndërsa Emanueli është më mirë”, tregojnë familjarët për gjendjen shëndetësore të ty të dëmtuarve. Duke i pyetur në lidhje me shkakun e sherrit, ata heshtin dhe thonë se nuk janë në dijeni. Pavarësisht kësaj, të afërmit pretendojnë se Karagjozi nuk ka pasur si synim që t’i vriste, por thjesht që t’i trembte. “Plumbat janë gjuajtur vetëm në pjesën e poshtme. Prandaj Berti dhe Eli janë goditur në këmbë. Nuk është e lehtë që të vrasësh njerëz. Këtë gjë e di edhe ai që e bëri këtë punë. Ama makinën e bënë copë. Kur shkatërroi makinën, ata të dy i vriste po të donte”, vijojnë të shprehen të afërmit për gazetën “Shqip”.


Pas plagosjes ata janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, për të marrë mjekimin e nevojshëm. Mjekët thonë se pacientët janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në të njëjtën dhomë spitali. Pavarësisht kësaj, mjekët bëjnë me dije se plagët janë të thella dhe duhet pasur kujdes për mbylljen e tyre. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu, për të nisur zbardhjen e ngjarjes. Ata kanë shoqëruar në komisariat të gjithë personat që kanë qenë prezentë në momentin që ndodhi atentati. Dëshmitarët u janë përgjigjur pyetjeve intensive, në lidhje me plagosjen e dy kushërinjve.


Brenda pak minutave, Komisariati Nr. 6,ka arritur që të bëjë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar për plagosjen e dyfishtë. Ai është Olsi Karagjozi, i cili është shpallur person në kërkim, pasi dyshohet të jetë ai që plagosi Albert Çikun dhe Emanuel Zirin, paraditen e së shtunës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja plumbash pistolete dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, mjeti në pronësi të 35-vjeçarit Albert Çiku është dëmtuar nga plumbat. Pas kësaj, uniformat blu kanë shkuar në Spitalin Ushtarak për të marrë dëshmitë e dy të dëmtuarve. Mësohet se ata nuk kanë pranuar që të japin shpjegime për motivin e atentatit dhe se nuk e dinë se kush i ka qëlluar dhe as arsyen se përse janë bërë shënjestër e plumbave. Pavarësisht se Çiku dhe Ziri nuk kanë bashkëpunuar, policia dyshon si pistë kryesore prishjen e pazareve të drogës mes palëve dhe se konflikti është i mbartur prej kohësh. “Atentatori nuk ka pasur si qëllim që t’i vrasë kushërinjtë, por thjesht ka qenë një paralajmërim nga ana e tij”, pohojnë burimet policore. Pas atentatit, dyshohet se Karagjozi është larguar në drejtim të paditur me automjetin tip “Tuareg”.


 


Dënimet


Precedentët kriminalë të autorit


Olsi Karagjozi, 39 vjeç, ose siç njihet ndryshe Olsi i Qamiles, është person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës më 21 shkurt të vitit 2011 e ka dënuar me gjashtë vjet e tetë muaj burg, për veprën penale “vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë”. Në muajin dhjetor të 2010-s, ai ka tentuar të vrasë me pistoletë Alfed Guçen, pronarin e një lokali në zonën e Laprakës. Guçe është qëlluar në befasi në të dyja këmbët. Që prej kësaj kohe, ai kërkohet nga drejtësia shqiptare. Disa muaj më vonë, 39-vjeçari ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri Astrit Skanën. Ngjarja ka ndodhur më 10 shkurt të 2011-s në Paskuqan, ku Olsi Karagjozi ishte përfshirë në një sherr mes disa personave. Skana është gjendur rastësisht afër vendit të ngjarjes, ndërkohë që plumbat e kanë prekur, duke i shkaktuar plagë të rëndë. Me po të njëjtën akuzë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Olsi Karagjozin, me 6 (gjashtë) vjet burg. Pavarësisht kësaj, ai është ende i lirë. Policia po e kërkon për vrasjen e tretë të mbetur në tentativë.


 


I plagosuri Çiku


Albert Çiku ka qenë i dënuar më parë me 16 muaj burg për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Çiku, në 2009-n ka plagosur me armë zjarri Xhevdet Muçën, pasi ky i fundit kishte zgjidhur fejesën me motrën e autorit. Si pasojë e kësaj, ai është plagosur me një plumb në këmbë.