“Nuk kishim punë me Presidentin. Sulmi ishte ndaj Halimit, i cili gënjen nëpër media duke thënë se na ka dëmshpërblyer”


Tentojnë të sulmojnë eskortën e ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi, arrestohen gjashtë ish të përndjekurit politikë, mes të cilëve Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku, pjesëmarrës dhe organizatorë në grevën e urisë. Arrestimi i tyre është bërë pranë Ministrisë së Drejtësisë, ku pritej që të zhvillohej mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Protestuesit ishin stacionuar në një lokal, pranë ministrisë në fjalë, por nuk kanë arritur që të vënë në jetë planin e tyre, pasi janë kapur nga punonjësit e policisë, para ardhjes së Halimit. Të përndjekurit janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 3, ku janë mbajtur të izoluar për rreth 6 orë. Pas kësaj janë lënë të lirë. Sipas policisë, shkak i shoqërimit të tyre në rajon ka qenë pasi dyshohej se të përndjekurit do të sulmon eskortën e Presidentit, por kjo gjë është hedhur poshtë nga të përndjekurit. Ata kanë thënë se objekt të sulmit kishin Halimin dhe jo Presidentin. “Kur na arrestuan ishim para lokalit të ministrisë dhe po prisnim Eduart Halimin. Ai u vonua dhe policia na pikasi. Na mori të gjithëve me vete dhe na ka mbajtur në komisariat 6 orë. Nuk kishim punë me Presidentin. Sulmi ishte ndaj Halimit, i cili gënjen nëpër media, duke thënë se na ka dëmshpërblyer, në një kohë që nuk na dhënë asnjë qindarkë. Si nuk kanë turp dhe bëjnë deklarata kaq të rreme”, citojnë të përndjekurit. Ndër të tjera ata thonë se protesta e tyre, në mënyrat më demokratike, do të vazhdojë. “Ne do të jemi në çdo rrugë, në çdo cep, për të protestuar kundër atyre personave që nuk zbatojnë ligjin për marrjen e dëmshpërblimeve. Do të sulmojmë të gjithë ata që na kanë gënjyer. Nuk heqim dorë nga kauza jonë”, thotë Skënder Tufa, ish-koordinatori i grevës së urisë në “Komunën e Parisit”. Në polici ata janë pyetur në lidhje me sulmin. Pavarësisht deklaratave që kanë bërë në polici, asnjë prej të përndjekurve nuk e ka firmosur procesverbalin.