Procesi 


Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur dje tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, të cilët do të jenë vendimmarrësit e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Katër vitet e ardhshme, këta gjyqtarë do të “punojnë” në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku pritet të vendosin shumë mbi fituesit e zgjedhjeve të ardhshme. Mandati i tyre përfundon pas katër viteve, në mesin e 2016-s. Shorti i hedhur ka qenë “fatsjellës” për gjyqtarët e Apelit të Durrësit, të cilët do të kenë tre përfaqësues, ndërsa nga dy Tirana dhe Shkodra, ndërsa një përfaqësues do të jetë nga Gjykata e Apelit të Vlorës.


Sipas ligjit, kandidatë për anëtarë të Kolegjit Zgjedhor janë të gjithë gjyqtarët e Apelit në Shqipëri. Burime zyrtare nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë thanë se janë përzgjedhur si anëtarë: Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe Valbon Çekrezi.


Ndërkohë, anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të mëparshëm u mbaroi mandati tri ditë pas dekretit të Presidentit të Republikës, për caktimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.


Kolegji Zgjedhor që sapo ka përmbyllur mandatin ka qenë trupa gjyqësore më e kontestuar në historinë e zgjedhjeve shqiptare, pasi ka vendosur fatin e qeverisjes së vendit në vitin 2009 dhe ka përcaktuar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Konkretisht, në vitin 2009, Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën e opozitës për të hetuar disa kuti votimi në tri qarqe të vendit, kryesisht në Fier, Shkodër dhe Tiranë. Kjo pati si pasojë lënien në fuqi të një vendimi të KQZ-së me shumicë të thjeshtë, kur 2 anëtarë të saj, sipas Kodit, kërkuan hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin. Pas hetimit zgjedhor, nga prokuroria doli skandali i Ruzhdies, ku në procesverbale kishte qytetarë që firmosën për zgjedhës që nuk ishin prezentë në momentin e votimit. Por rasti më i rëndë ishte viti 2011, kur Kolegji pranoi vendimin e KQZ-së të marrë vetëm nga përfaqësuesit e mazhorancës për të ndryshuar procesverbalin e votave të 11 KZAZ-ve të Tiranës, ku Edi Rama dilte fitues ndaj Lulzim Bashës dhe numërimin e votave të cilësuara “të hedhura në kutinë e gabuar”. Ky vendim i Kolegjit u cilësua i pajustifikuar dhe jo kompetent nga ana e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it.


Ndërkohë, Këshilli zhvilloi ceremoninë e betimit të gjyqtarit të sapoemëruar Artan Lazaj, si dhe në një pikë të veçantë, konstatoi mbarimin e ushtrimit të detyrës së gjyqtares së Apelit Vlorë, Sashenka Jonuzi, dhe shpalli vendin vakant në këtë gjykatë.


 


Andi Civici – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Vlorë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar si kryetar i kësaj trupe gjyqësore në qytetin e jugut


Edlira Petri – Gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ajo është transferuar në kryeqytet në vitin 2008, pasi ka punuar në Gjykatën e Apelit, Shkodër


Fuat Vjerdha – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër. Është një gjyqtar me eksperiencë të gjatë, ku ka punuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër


Gjinovefa Gaba – Gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë. Ka eksperiencë të gjatë dhe ka qenë kandidate për anëtare e Gjykatës së Lartë, por nuk u miratua nga Kuvendi


Ilir Toska – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ka një përvojë të gjatë në gjyqësorin shqiptar. Zgjidhet në Kolegj për herë të parë


Kliton Spahiu – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Është transferuar në këtë qytet në vitin 2008 nga Lezha, ku ishte kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë


Petrit Çeno – Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Ka eksperiencë të gjatë. Në vitin 2010, KLD-ja e ngarkoi me detyrën e Apelit të qytetit të Durrësit


Valbona Çekrezi – Gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Ka eksperiencë të gjatë dhe ka punuar kryesisht në dy gjykatat e qytetit bregdetar të Durrësit