Zhvillimi i pagesave elektronike, një domosdoshmëri për Shqipërinë

Holti Banka* 

[email protected]

Pagesat elektronike janë pagesa që mbështeten në një teknologji të caktuar, ku nuk përfshihen pagesat me para fizike (cash) dhe pagesat që bazohen në letra. Duke u fokusuar në ambientin financiar shqiptar, ky përkufizim përmblidhet në instrumente pagese elektronike si ato me karta debiti (debit card) /krediti (credit card), karta të parapaguara (pre-paid cards), si edhe ato instrumente pagesash që bazohen në përdorimin e internetit dhe të telefonave celularë.

Në Shqipëri, paraja fizike (cash) është akoma mjeti mbizotërues i pagesave, në të gjitha sferat. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se në 2011-n transfertat e kreditimit në mënyrë elektronike përbënin vetëm rreth 2.5% ndaj totalit të transfertave të klientëve. Ky numër i vogël është domethënës, pasi tregon që pagesat elektronike janë akoma në nivel të ulët në Shqipëri. Në BE, për shembull, mesatarisht transfertat/pagesat elektronike zënë më shumë se 50% të sektorit të pagesave. Në këtë fushë duhet që shoqëria shqiptare të bëjë përpjekje serioze për përdorimin e pagesave elektronike në një shkallë më të gjerë (deri sa infrastruktura teknologjike e internetit dhe rrjetit telefonik ekziston në Shqipëri), të lidhura këto me përfitime ekonomike për vendin. Studime empirike tregojnë se një shtet mund të kursejë 2-5% të PBB-së së tij në qoftë se ai kalon në pagesat elektronike në nivele të larta (mbi 80% të të gjitha pagesave). Një sistem pagesash elektronike nuk është vetëm më eficent në kosto, por gjithashtu prodhon transparencë dhe mekanizëm monitorimi të fortë për sistemin e taksave.

Nga një perspektivë historike, gjatë 20 viteve tregu të lirë Shqipëria asnjëherë nuk ka gëzuar një sistem të gjerë dhe të konsoliduar pagesash elektronike. Gjithmonë ka ekzistuar një nocion i rrënjosur thellë, që meqenëse cash-i është diçka e prekshme, ai ofron një ndjenjë sigurie, gjë që nuk përbën realitet. Rënia e skemave piramidale më 1997-n tronditi besimin e shqiptarëve në sistemin bankar dhe u la atyre një shije të hidhur. Sot në Shqipëri operojnë 16 banka tregtare, 14 nga të cilat me pronësi të huaj, dhe ato ofrojnë një varietet produktesh financiare. Gjithsesi prezantimi i produkteve të reja financiare, përfshirë edhe kartat e debitit dhe kreditit, u bë disi me shpejtësi në Shqipëri.

Është vështirë të ndërtosh një sistem efektiv pagesash elektronike pa pasur besim të plotë te bankat, pasi depozitat e klientëve janë një komponent i nevojshëm që ky sistem të funksionojë. Qeveria ka tentuar ta ndryshojë situatën që në vitin 2003, duke bërë që punonjësit e administratës shtetërore të marrin rrogat direkt nga llogaria e tyre rrjedhëse bankare, gjë e cila garanton edhe pajisjen a tyre falas me karta debiti. Ky ishte një motiv shtytës për njerëzit që të hapnin llogari bankare dhe ndërkohë ishte një nga hapat e parë drejt përdorimit të instrumenteve të pagesave elektronike. Karta e debitit ka tri përdorime kryesore: blerje nga POS (dyqane që kanë pajisjen për pranimin e kartave elektronike), blerje nga interneti (kryesisht nga biznese online jashtë Shqipërisë) dhe tërheqja e parave nga ATM. Ndërkohë që dy mënyrat e para nuk janë akoma shumë të përhapura në Shqipëri, mënyra e tretë që aktualisht përdoret në masë të gjerë, u shërben shqiptarëve të familjarizohen me kartat e debitit dhe të ndihen të sigurt në përdorimin e tyre. Kjo praktikë mund të krijojë terrenin për hapin e radhës së përdorimit të kartave nëpër dyqane në masë. Në mënyrë që ky proces të funksionojë sa më mirë, nevojitet që bankat të instalojnë me shumë ‘off-site’ ATM (ATM që nuk ndodhen brenda apo afër bankave) në të gjithë vendin, ndërkohë që duhet të inkurajojnë klientët t’i përdorin ato.

Pyetja kryesore është nëse individët i shfrytëzojnë realisht llogaritë bankare dhe pagesat elektronike? Të dhënat tregojnë që shqiptarët nuk i shfrytëzojnë shumë as llogaritë bankare dhe as pagesat elektronike. Në fakt, është më se normale të shohësh njerëz duke pritur në radhë te sportelet e bankave të ndryshme për të tërhequr nga llogaritë e tyre gjithë rrogën mujore. Një faktor që stimulon këtë fenomen është fakti se rrogat në Shqipëri janë të ulëta dhe nuk ka hapësirë për kursime. Por gjithsesi, edhe këto llogari bankare të rrogave mund të shfrytëzohen. Për shembull, këto llogari mund të përdoren për të marrë dërgesat dhe për të bërë pagesat e nevojshme. Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali i bëjnë dërgesat e remitancave te familjet e tyre në Shqipëri kryesisht në cash, duke përdorur operatorët e transferimit të lekëve. Por, dërgimi i lekëve nëpërmjet këtyre operatorëve bëhet më i shtrenjtë, sepse ka interes më të lartë në krahasim me transfertat që bëhen nëpërmjet bankave. Gjithashtu, familjet shqiptare mund të bëjnë pagesat e shërbimeve (energji elektrike, ujë, telefon) nëpërmjet llogarive bankare duke përdorur “direct debit service” (që është pa pagesë në disa banka ose me një pagesë minimale në të tjerat), në vend që të paraqiten fizikisht për të bërë këto lloj pagesash.

Është përgjegjësia e bankave për të informuar klientët me një gjuhë sa më të thjeshtë në lidhje me shërbimet dhe instrumentet e pagesave elektronike që ato ofrojnë, por më e rëndësishme është të bëhet e qartë që përdorimi i kartave të debitit nuk ka kosto për klientët. Klientët nuk marrin hua nga bankat, por përdorin paratë e tyre që kanë në llogaritë bankare kur përdorin kartat debit, gjë që përbën dhe diferencën kryesore nga kartat e kreditit. Nga ana tjetër, përdorimi i cash-it ka kosto akoma më të lartë dhe paraqet disa probleme: risku i vjedhjes, rënia viktime e përdorimit të kartëmonedhave false, edhe harxhimi i kohës duke pritur në radhë për të tërhequr lekët apo për të bërë pagesa me lekë në dorë.

Edhe atëherë kur konsumatorët shqiptarë kanë dëshirën të përdorin kartat elektronike për pagesat e tyre nëpër dyqane, janë dyqanet ato të cilat duhet të pranojnë këto lloj pagesash, në mënyrë që procesi të funksionojë. Pra, kjo është një çështje që duhet të trajtohet njëkohësisht në dy nivele, në nivelin e konsumatorit dhe atë të biznesit.

Ekonomia informale, që bazohet në cash, është një shqetësim për vendin dhe favorizon evazionin fiskal. Sipas raportit të fundit të “Payment Systems WorldWide” të Bankës Botërore, Shqipëria renditet në pjesën e fundit të nivelit të mesëm në sistemin e pagesave elektronike për blerjet me pakicë, në të njëjtin grup si Sudani dhe Zimbabve. Rikonstruktimi i sistemit të taksave së bashku me një përdorim të gjerë të pagesave elektronike nëpër biznese të ndryshme do të zvogëlonte evazionin fiskal në Shqipëri dhe do të ndihmonte edhe vetë bizneset nëpërmjet kostove më të ulëta të administrimit të pagesave.

Si mund të bëhet e mundur që bizneset, pavarësisht nga madhësia e tyre, të pranojnë kartat elektronike në masë? Një leksion i mirë vjen nga Meksika, e cila nëpërmjet projektit “FIMPE” arriti të rrisë përdorimin e pagesave elektronike nëpër dyqane me 170% në periudhën 2003-2006, duke u nisur nga e njëjta pikë ku ndodhet aktualisht Shqipëria. Ata përdorën disa faktorë stimulues, si për shembull qeveria investoi vetë në pajisjet e përdorimit të kartave për dyqanet (POS terminals) dhe organizoi fushata informuese në mënyrë që të krijohet një rrjet i transaksioneve elektronike, i cili do të ndihmonte në mbledhjen e taksave, por njëkohësisht do të lehtësonte klientët dhe bizneset. Në të njëjtën mënyrë, në Bullgari bankat dhe ofruesit e pagesave elektronike gjatë viteve të fundit kanë bashkëpunuar për të përmirësuar përhapjen e tyre. Praktika të tjera përfshijnë stimuj të tillë si lehtësime taksash (tax breaks) ose subvencione për bizneset që pranojnë pagesat elektronike.

Në fakt, bizneset duhet të paguajnë për çfarëdo transaksioni elektronik një kosto prej 1-2% të shumës së veprimit/transaksionit te bankat. Kjo është një arsye për të cilën bizneset hezitojnë të përdorin aparatet e kartave elektronike. Megjithatë, është llogaritur që kostoja e pranimit të pagesave me lekë në dorë është më e madhe se ajo e pranimit të kartave për disa arsye: ka kosto në numërimin e lekëve, kosto në transportimin e lekëve në banka, si dhe kosto për sigurinë e tyre. Për më tepër, në rastin e përdorimit të lekëve cash, pjesa më e madhe e këtyre kostove janë indirekte, dhe në këtë mënyrë kostot ose llogariten gabim ose konsiderohen të papërfillshme, duke u prezantuar si më të ulëta se sa janë realisht.

Në procesin e përdorimit më të gjerë të pagesave elektronike në Shqipëri, administrata publike mund të luajë një rol kyç. Megjithëse praktika e depozitimit direkt të rrogave në llogari bankare ishte një hap i madh, mund të themi se ky hap nuk është i mjaftueshëm. Pensionet dhe asistencat sociale vazhdojnë të paguhen me lekë në dorë (këto shërbime kanë kosto të madhe për t’u administruar në cash), prandaj është e nevojshme që dhe ato të kthehen në pagesa elektronike. Kjo eksperiencë mund të aplikohet edhe nga bashkitë dhe bizneset private kur paguajnë rrogat. Rumania sjell një shembull të mirë në këtë drejtim. Vitet e fundit atje u përdor një sistem për pagesa online duke përfshirë rreth 180 bashki. Në prill të 2011-s filloi të përdorej një sistem kombëtar online për pagesën e taksave, me kusht që të gjitha bashkitë të pranonin pagesat me karta.

Krahas administratës publike edhe Banka e Shqipërisë mund të luajë rolin e saj të rëndësishëm në këtë proces. Printimi dhe procesimi i lekut është i kushtueshëm, prandaj edhe një nga qëllimet kryesore të veprimtarisë se Bankës së Shqipërisë duhet të jetë reduktimi i përdorimit të lekut cash. Ky qëllim mund të arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit të gjerë të pagesave elektronike. Në fakt pritet që së shpejti të miratohet një rregullore, e cila u jep më shumë hapësira institucioneve financiare jobanka të administrojnë pagesat elektronike, një hap ky shumë pozitiv. Në përgjithësi, ekonomia si një e tërë, mund të përfitojë nga një infrastrukturë e zhvilluar e pagesave elektronike, sepse kjo lloj infrastrukture tërheq më shumë investitorë dhe më shumë turistë.

Në këtë situatë mund të ndërmerren disa hapa të menjëhershëm. I pari mund të ishte krijimi i një agjencie ose task-forcë e krijuar nga qeveria në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, me qëllim krijimin e një platforme kombëtarë për implementimin e pagesave elektronike. Padyshim ky proces kërkon përfshirjen edhe të palëve të tjera të interesuara si bizneset, bankat tregtare, kompanitë e kartave elektronike, kompanitë e telefonisë dhe internetit, por edhe agjencitë për mbrojtjen e klientëve, si dhe shoqëria civile. Në të njëjtën kohë një hap paralel për shpërndarjen e informacionit dhe të njohurive në lidhje me pagesat elektronike është zhvillimi i konferencave të hapura për publikun e gjerë dhe zhvillimi i fushatave edukative. Ndoshta kjo mënyrë do të zgjojë reagime konkrete dhe të shpejta. Së fundmi, do të ishte mirë për Shqipërinë që të bëhet pjesë e aleancave botërore, si për shembull “Better than Cash”, e krijuar vitin e kaluar nga organizata gjigante si Visa Inc., Kombet e Bashkuara, Fondacioni “Gates”, “Citi Group” (etj). Qëllimi i kësaj iniciative është zëvendësimi gradual i cash-it me instrumente elektronike në shtetet në zhvillim për më shumë transparencë dhe ulje kostosh në administrimin e transaksioneve, duke ofruar asistencë teknike në këtë përpjekje, për cilido shtet që bëhet pjesë e saj.

Ndërkohë që Shqipëria është në hapat e parë të një procesi ndryshimi dhe në pamje të parë duket sikur pagesat elektronike në shkallë të gjerë janë një realitet i largët, shqiptarët kanë treguar që mësohen shpejt me praktikat e reja. Në fakt ka iniciativa inovatore edhe në Shqipëri në këtë fushë, siç është për shembull Easypay, që prej dy vitesh ofron pagesa elektronike nëpërmjet telefonave celularë. Shembuj më pozitivë nga jashtë Shqipërisë përbëjnë shtete si Kenia dhe Tanzania, që kanë një infrastrukturë financiare dhe teknologjie më pak të zhvilluar se Shqipëria dhe kanë krijuar transaksione elektronike në një kohë shumë të shkurtër. Kjo gjë u arrit, sepse kishte një përfshirje dhe bashkëpunim serioz të qeverisë dhe të sektorit privat. Për momentin, ajo që kërkohet sot në Shqipëri është zhvillimi i një debati të thellë dhe gjithëpërfshirës në lidhje me përfitimet nga pagesat elektronike. Ky debat mund të çojë në një ndryshim rrënjësor në këtë sektor.

*Kandidat për doktoraturë në Universitetin e Maryland, në SHBA, i specializuar në zhvillimet ekonomike ndërkombëtare dhe sistemet e pagesave.

Autor te 8 Dhjetor 2012. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry