Moti i keq me reshje bore dhe temperaturat e ulëta ka shkaktuar probleme në disa akse rrugore në vend, ndërkohë që situata nuk paraqitet më e mirë dhe në zonat bregdetare. Sipas të dhënave, akulli ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin Pukë-Fushë Arrëz, në Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Bajram Curri, ku vijojnë edhe sot reshjet e borës. Në Dibër, në zonat e thella, kanë vijuar reshjet e borës në Lurë, Kala e Dodës, ndërsa në Selishtë dje paradite, është vënë re qarkullimi me vështirësi i automjeteve për shkak të borës. Në zonën Juglindore, konkretisht në Korçë, ngricat paraqiten problematike në Qafën e Plloçës dhe Qafën e Thanës si dhe në akset e rrugëve drejt zonave turistike, Boboshticë, Dardhë e Voskopojë. Në Portin e Durrësit janë hasur gjithashtu vështirësi për shkak të motit të ftohtë dhe erë. Autoritetet portale theksojnë se në det, valëzimi arrin 5-6 ballë dhe është ndaluar dalja në det e peshkarexhave. Madje, një nga tragetet e linjës Itali-Shqipëri, ka mbërritur tetë orë me vonesë në port. Në Vlorë, në Qafën e Llogorasë, automjetet mund të kalojnë pa zinxhirë, por pika më problematike paraqitet zona e njohur si “Pisha flamur” ku ngricat kanë përfshirë rrugën. Re. Rre.