Rreth 30 miliardë euro borxhe të sektorit privat u blenë për 10 miliardë


Greqia arriti të blejë me gjysmë çmimi një pjesë të konsiderueshme të borxheve që u ka investitorëve privatë, si pjesë e planit të faljes së borxheve të saj të rënë dakord nga kreditorët ndërkombëtarë. Në përmbyllje të afatit të përcaktuar të marrëveshjes, një zyrtar i qeverisë i tha “Reuters” se investitorët privatë pranuan të marrin rreth 10 miliardë euro për borxhet me vlerë nominale 30 miliardë euro. Investitorët pranuan të humbasin rreth 70 për qind të investimeve të veta.


“Blerja e borxheve shkoi mirë në terma të përgjithshme. Shuma për riblerje e ofruar nga investitorët ishte brenda pritshmërive, rreth 30 miliardë euro”, tha një zyrtar në kushtet e anonimitetit.


Kreditorët institucionalë BE dhe FMN pranuan t’i falin Greqisë 40 miliardë euro borxhe dhe interesa mbi borxhin nëntorin e kaluar. Gjysma e borxheve të falura rëndoi mbi investitorët privatë. Për pjesën e borxhit grek të blerë më herët nga BE-ja dhe FMN-ja, u vendos që të zgjatej maturiteti në gati 30 vjet dhe të ulej interesi në më pak se 1 për qind në vit.


Kjo është hera e dytë brenda dy vjetësh që Greqia përfiton falje të borxheve të veta nga kreditorët e huaj, por ekspertët ndërkombëtarë thonë se brenda pak viteve të ardhshme, ka shumë gjasa që një falje e tretë do të kryhet për të nxjerrë Greqinë përfundimisht nga kriza.


Greqia pritet të marrë brenda këtij muaji rreth 34 miliardë euro kredi të butë nga BE dhe FMN, të cilat do t’i përdorë për të rikapitalizuar bankat e saj në vështirësi, si dhe të shlyejë detyrimet e prapambetura që ka ndaj furnitorëve të qeverisë. BE dhe FMN kanë pezulluar pagesën e ndihmave gjatë gjashtë muajve të fundit, pasi Athina nuk plotësoi kushtet për shkurtim shpenzimesh dhe privatizimesh.


Athina ka marrë 148.6 miliardë euro nga fondet e FMN dhe BE që nga maji 2010. Ajo do të marrë edhe 90 miliardë euro të tjera deri në vitin 2014. Por shpëtimi financiar ka ardhur me një çmim të rëndë. Masat e kursimit e kanë zhytur vendin në depresion ekonomik. Papunësia është në nivelin 26 për qind, më e larta në Eurozonë. Ekonomia është në vitin e pestë të recesionit dhe pritet që të jetë reduktuar me 24 për qind kur rritja ekonomike të rifillojë rreth vitit 2014.


Bankat greke, të cilat kishin nën pronësi rreth 17 miliardë euro bonde, pranuan të premten të marrin pjesë në marrëveshje së bashku me dy kreditorë të mëdhenj nga Qipro. Investitorët e huaj pranuan të shesin bonde me vlerë nominale prej 15-16 miliardë eurosh. Bondet greke shiten aktualisht në tregun sekondar me 30-38 për qind të vlerës së tyre nominale, ndërsa Athina ofroi t’i blinte vetë këto bonde me vlerën 32-40 për qind. Shumica e bondeve në qarkullim aktualisht janë blerë nga investitorët në kulmin e panikut për daljen e Greqisë nga euro me çmime shumë të ulëta, pra për investitorët aktualë, shitja sjell edhe fitime.