Taksapaguesit e Tiranës dhe Durrësit, më të rregulltit në raport me popullsinë dhe PBB-në
ARD KOLA
Taksat janë njolloj për të gjithë, duhen paguar, sikurse e thotë ligji, por pesha kryesore bie mbi disa, kurse të tjerë janë “më të lehtësuar”. Banorët e Tiranës dhe Durrësit rezultojnë më të rregulltit, në raport me totalin. Më keq paraqiten banorët e Krumës, Koplikut dhe Librazhdit, me nivel të ulët të pagesave, duke i konsideruar vende të “parajsës fiskale”. Një raport, i pari i këtij lloji, hartuar nga qendra “Al Tax”, evidenton hartën e taksapaguesve më të rregullt, sipas bashkive, bazuar mbi numrin e banorëve dhe PBB-së për vitin 2011.
Objekti kryesor i analizës është niveli i barrës tatimore nga njëri qark në tjetrin, si dhe nga njëri rreth në tjetrin, duke treguar për aftësinë që duhet të mbartin në rritjen e të ardhurave, me qëllim financimin e shpenzimeve, që vijnë më së shumti nga rezidentët dhe mund të transferohet nëpërmjet lëvizjes së tyre nga njëri vend në tjetrin.
Nga raporti midis tatimeve dhe taksave të paguara në vitin 2011 me numrin e banorëve rezidentë sipas regjistrit të popullsisë, barra tatimore më e ulët është në Bashkinë e Krumës. Kjo bashki ka një barrë tatimore prej 17.400 lekësh për banor e pasuar nga Bashkia e Koplikut me 18,200 lekë për banor. Të 10 bashkitë me barrën tatimore më të ulët janë me përhapje në veri, verilindje, juglindje, perëndim.
“Një analizë e tillë është vlerë e shtuar për transparencë në debatin mbi barrën tatimore të qarkut dhe rrethit, duke u mundësuar politikëbërësve, kërkuesve, analistëve, medias, si dhe qytetarëve për të parë se si shpërndahet barra tatimore në zonat pranë tyre. Kjo mënyrë e renditjes jep mundësinë për të vazhduar më tej barrën me shpenzimet publike të kryera në kuadër të transparencës së financave publike”, thotë qendra “Al Tax”.
Nga raporti midis tatimeve dhe taksave të paguara në vitin 2011 me numrin e banorëve rezidentë sipas regjistrit të popullsisë, barra tatimore më e lartë është në Bashkinë e Tiranës. Kjo bashki ka një barrë tatimore prej 64.500 lekësh për banor e pasuar nga Bashkia e Durrësit me 62.800 lekë për banor. Të 10 bashkitë me barrën tatimore më të lartë janë me përhapje në veri, verilindje, juglindje, perëndim, kryesisht në bashkitë më të mëdha në vend si: Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra, Gjirokastra.
Analiza, ku vendoset për bazë krahasimi i zonave administrative, shërben për të parë se cili grup apo cila zonë gjeografike është ngarkuar më shumë, dhe cila industri apo zonë duhet të ketë një barrë të ndryshme nga ajo që rezulton.
Objekti i krahasimit të të dhënave janë të ardhurat e paguara për llogari të buxhetit të shtetit nga rezidentët dhe jorezidentët. Tatimet që përfshihen në këtë analizë janë tatimet që administrohen nga administrata tatimore qendrore (përfshirë edhe kontributet e sigurimeve sociale) dhe taksat dhe tarifat që administrohen nga administratat tatimore vendore. Të dhënat për rajonet dhe bashkitë janë objekt edhe i deduktimeve sipas krahasimit të të dhënave të programeve buxhetore, niveli i realizimit dhe burime të ndryshme. Rezultatet e këtij studimi analizë janë të bazuara mbi të ardhurat e realizuara nga rezidentët sipas rezidencës ku ata janë, pa përjashtuar edhe të ardhurat tatimore nga tatimpaguesit e mëdhenj të vendit (të përfshira sipas adresës së rezidencës), të cilët plotësojnë afër 50% të gjithë totalit të të ardhurave tatimore për të dyja nivelet e administrimit tatimor.
Banorët e Tiranës paguajnë mesatarisht 64.500 lekë taksa në raport me totalin në kryeqytet
Pesha në buxhet
Raporti i tatimeve, detyrimeve doganore, taksave nacionale, taksave lokale dhe tarifave lokale, si dhe kontributeve shoqërore është sa 23.1% e PBB-së. Vetëm detyrimet tatimore qendrore dhe doganore përbëjnë një barrë fiskale në vend sa 17.9% e PBB-së. Barra tatimore nga administrimi tatimor vendor (administratat lokale) është sa 0.9% e PBB-së. Ndërsa kontributet shoqërore përbëjnë një barrë fiskale sa 4.3% e PBB-së.
Qendra
“Al Tax” është një qendër studimore e pavarur fiskale dhe punon që të rrisë mirëkuptimin e qeverisë dhe publikut për çështje të lidhura me ndershmërinë e sistemit ekonomik, fiskal dhe social në Shqipëri dhe të promovojë edukatën tatimore, të ndihmojë dhe të kujdeset për ekspertizën e duhur dhe të mbrojë tatimpaguesit nga veprimet abuzive të administratës publike.