Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Vlorent Xhafa, Dorian Xhoxhi shoqëruar nga tre instrumentistë të huaj shumë të njohur janë bërë bashkë në Tiranë. Nesër në Akademinë e Arteve mbahet koncerti i fundit i festivalit
“Different Trains”
Katër shqiptarë të famshëm, bashkë në Teatrin e Operës
Oliverta Lila
Shtatë instrumentistë të njohur do të ngjiten sot, në orën 19:00 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Violinistët shqiptarë Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi (koncertmaestër i parë në Tonhalle në Zyrih), Dorian Xhoxhi (violinë e parë në Orkestrën Filharmonike të Berlinit) dhe violonçelisti Vlorent Xhafaj (Orkestra Simfonike e Sidnejt, Australi), janë bërë për herë të parë bashkë për të interpretuar për publikun shqiptar. Ata kanë ardhur në Tiranë në kuadër të festivalit “Different Trains”, një nismë e Vlorent Xhafës dhe Dorian Xhoxhit që synon të kthehet e përvitshme. Bashkë me ta, edhe tre instrumentistë të huaj të njohur në skenat ndërkombëtare, si pianisti francez Francois Frederic Gyu, pianisti italian Andrea Rebaudengo dhe viola spanjolle Joaquin Riquelme Garcia. Koncerti i parë i këtij festivali u mbajt mbrëmjen e së premtes në Akademinë e Arteve, ndërsa sot ata do të ngjiten të shtatë në skenën e Teatrit të Operës në një koncert që do të regjistrohet nga “Top Channel” e do të transmetohet gjatë netëve të Vitit të Ri. Në programin e sotëm, sonata për violinë dhe piano nga kompozitori francez Claude Debussy (interpretojnë Papavrami dhe Guy), trio për violinë, violonçel dhe piano n.2 në mi minor op.67 nga Dmitry Shostakoviç (interpretuar nga Sahatçi, Xhafaj, Guy), kuantet për dy violina, violë, violonçel dhe piano n.2 në la maxhor op.81 nga Antonin Dvorak (interpretojnë Sahatçi, Xhoxhi, Garcia, Xhafaj, Rebaudengo). Edicioni i parë i festivalit “Different Trains” do të mbyllet me koncertin që do të mbahet nesër, në orën 19:00 në Akademinë e Arteve, hyrja e lirë. Në program sonata për violinë dhe piano no. 9 “Kreutzer sonata” (Papavrami, Guy), kuartet për violinë, violë, violonçel dhe piano n.1 në sol minor, op.25 nga Johannes Brahms (Papavrami, Garcia, Xhafaj, Guy). Në një konferencë të djeshme për shtyp, të shtatë instrumentistët u shprehën entuziastë për këtë ide që i bëri bashkë në skenën shqiptare. “Unë kthehem pas 20 vitesh në skenën shqiptare. Ky festival është një shtysë jashtëzakonisht e madhe për të qenë të pranishëm dhe do të doja të bëhej takim i përvitshëm”, është shprehur pianisti Klajdi Sahatçi. Tedi Papavrami, i cili ka qenë më shpesh i pranishëm se të tjerët, e quajti një nismë për t’u lavdëruar këtë festival, duke nënvizuar faktin që është zgjedhur t’i ofrohet publikut shqiptar një program me muzikë dhome, me të cilën nuk është i familjarizuar. “Ky festival është ngritur mbi idenë e një repertori që krijon më shumë intimitet dhe jo efekte spektakolare siç është mësuar përgjithësisht publiku ynë. Megjithatë në koncertin e parë pati shumë vëmendje nga publiku, mes tij kishte edhe shumë të rinj dhe kjo është entuziazmuese. Njerëzit nuk e injorojnë prezencën tonë në Shqipëri.
Ne nuk na duhet ky festival për të konfirmuar që ne jemi, pasi me teknologjinë bashkëkohore të gjithë e ndjekin veprimtarinë tonë, por esenca e muzikës klasike është koncerti dhe mundësia për të qenë të pranishëm fizikisht në skenë. Sot nuk është më si dikur që ardhja e artistëve të huaj përbënte një eveniment, por këto bashkëpunime dhe shembujt që ne sjellim, janë një mundësi për të inkurajuar të rinjtë që studiojnë në Akademinë e Arteve e të cilët ndoshta i janë futur kësaj rruge me shumë sakrifica”, u shpreh Papavrami, i cili nga ana tjetër e quajti të pajustifikueshme mungesën e këtyre instrumentistëve shqiptarë prej një kohe kaq të gjatë. I pyetur për arsyet, Klajdi Sahatçi u shpreh se nuk kanë pasur ftesa nga institucionet shqiptare dhe do të donin të kishin më shumë mundësi për t’u shprehur në vendin e tyre. “Nuk na është dhënë mundësia të shprehemi. Ne jemi artistë të formuar në këtë vend dhe e përfaqësojmë atë në skenat botërore, por nuk kemi pasur mbështetje nga institucionet tona dhe ky është një aktivitet i organizuar nga sponsorët privatë. Çdo vend tjetër bën të pamundurën për të mbështetur artistët e tyre, sepse ata janë edhe përfaqësimi më i mirë”, ka thënë Sahatçi. Duke iu referuar edhe një herë muzikës që këta instrumentistë sollën në skenën shqiptare, violinisti Dorian Xhoxhi u shpreh se e ndjen për detyrë që vepra të tilla, kryevepra të muzikës botërore t’i prezantohen edhe publikut shqiptar, pavarësisht se muzika e dhomës është më vështirë e pranueshme nga ta. Ndërkohë Vlorent Xhafaj, një nga nismëtarët e këtij festivali, duke kujtuar kohët e Liceut Artistik dhe se sa të nevojshme ishin për ta koncerte të tilla, theksoi se “ne kemi studiuar në këtë vend, ndaj dhe e ndjemë të domosdoshme për të organizuar një aktivitet të tillë”, të cilin ata synojnë në të ardhmen ta kthejnë në një traditë. Pianisti i njohur francez, Francois Frederic Guy, e cilësoi këtë aktivitet si një mundësi shumë e mirë e shkëmbimit mes instrumentistëve europianë, ndërkohë si ai, ashtu edhe dy instrumentistët e tjerë të huaj, Garcia dhe Rebaudengo, të cilët kanë ardhur në Tiranë falë bashkëpunimit që kanë pasur më parë me instrumentistët tanë, u shprehën se kanë mbetur të befasuar nga pritja e publikut. Dy koncertet në Akademinë e Arteve janë bërë të hapura për publikun, ndërkohë që në Teatrin e Operës, pjesa kryesore është me ftesa, në Shqipëri vazhdon të mbetet traditë që koncerte të tilla të mos shihen përmes blerjes së një bilete, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e botës.
Festivali
“Different Trains” lindi si shtysë e dy instrumentistëve shqiptarë, violonçelistit Vlorent Xhafa dhe violinistit Dorian Xhoxhi, të cilët janë larguar që në moshën 16-vjeçare nga Shqipëria, për të vazhduar studimet e për të krijuar më pas një karrierë të suksesshme në skenat ndërkombëtare.
7 instrumentistë
Edicioni i parë solli në Tiranë shtatë instrumentistë. Violinistët shqiptarë Tedi Papavrami, Klajdi Sahatçi, Dorian Xhoxhi, violonçelistin Vlorent Xhafaj dhe pianistin francez Francois Frederic Gyu, pianistin italian Andrea Rebaudengo dhe viola spanjolle Joaquin Riquelme Garcia