Sekretari për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague, thotë se bashkë me amerikanët kanë prova se Siria po përgatitet për të përdorur arsenalin e saj të armëve kimike. Duke folur për BBC, Hague tha se ka “prova të mjaftueshme dhe se ka nevojë për paralajmërime të qarta”. Ai tha se ka të dhëna nga burimet e spiunazhit si dhe kërcënoi edhe një herë regjimin e Assad me “pasoja të rënda” në rast se këto armë përdoren kundër popullatës.
Një zyrtar i Sirisë këmbënguli javën e kaluar se ky vend “nuk do t’i përdorë kurrë dhe në asnjë rrethanë këto armë”. Disa ditë më parë, Presidenti i SHBA, Barack Obama, kërcënoi gjithashtu Assad mbi këtë temë.
I pyetur nga gazetari i BBC, Frank Gardner, Hague tha se ai e kupton skepticizmin e publikut nga ky lajm, për shkak të gabimeve të kryera dhjetë vjet më parë me lajmet për armët irakiane të shkatërrimit në masë, të cilat në fakt nuk u gjetën kurrë dhe provat dolën të falsifikuara.
CIA beson aktualisht se Siria disponon programe për armë kimike si dhe një arsenal agjentësh kimikë që mund të shpërndahen me aviacion, raketa balistike apo artileri të zakonshme. Siria besohet se disponon gaz mustard dhe sarin, të dy helme shumë të rrezikshme. Një raport që citon agjenci spiunazhi të Turqisë dhe të disa vendeve arabe, thotë se Siria disponon rreth 1 mijë tonë armë kimike të magazinuara në rreth 50 qytete. Siria nuk e ka nënshkruar konventën për ndalimin e armëve kimike.
Burime ushtarake perëndimore në Gjirin Persik i kanë thënë BBC se armët kimike të Sirisë janë përqendruar aktualisht në pesë baza ajrore. Plane emergjente janë hartuar për të reaguar në rast se ka shenja që këto armë po përgatiten për t’u përdorur.