Policia arreston dy vëllezërit, pasi lanë pa ndjenja 12-vjeçarin në pyllin e Sodës
Vlorë – Një i mitur ka rënë pre e dhunës çnjerëzore nga dy vëllezër, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë çuar në pyll, ku e kanë goditur me grushte, derisa e kanë gjakosur, pasi dyshonin se ai u kishte vjedhur dokumentet e makinës. Dy vëllezërit e kanë lënë të lirë të miturin, vetëm kur e kanë parë të gjakosur, ndërkohë që më pas, policia i ka vënë në pranga. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Vlorë, për të cilën policia deklaroi se një i mitur me inicialet F.D., është rrëmbyer dhe keqtrajtuar nga dy vëllezër në pyllin e Sodës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Gazmend dhe Viktor Hoxhaj, përkatësisht 26 dhe 28 vjeç, kanë marrë me forcë fëmijën, për t’i kërkuar llogari në lidhje me disa dokumente makine, që këtyre të fundit u kishin humbur. Vëllezërit Hoxhaj kanë dyshuar se dokumentet u janë vjedhur nga i mituri, e për pasojë edhe e kanë rrëmbyer për t’i kërkuar vendndodhjen e dokumenteve.
Ka qenë ora 17:00 e së premtes, kur vëllezërit Hoxhaj kanë trokitur në banesën e tij, për t’u kërkuar vendndodhjen e dokumenteve të “vjedhura” nga i mituri. Fëmija u është përgjigjur se nuk ka dijeni për këtë gjë dhe se është çuditur me akuzën që i drejtohej. Rrëmbyesit nuk janë bindur dhe i kanë kërkuar që ai t’i ndiqte nga pas. Vëllezërit nuk i kanë thënë asgjë fëmijës se ku do të shkonin dhe kur janë gjendur afër makinës, me forcë e kanë hipur të miturin në makinë. Më pas janë nisur me shpejtësi në një zonë të pabanuar. Kur kanë mbërritur në periferi të Vlorës, kanë nisur që të ushtrojnë dhunë mbi fëmijën, duke i shkaktuar edhe gjak nga hundët dhe humbje të ndjenjave. Përveç dhunës fizike, vëllezërit e kanë kërcënuar fëmijën se do ta vrisnin me një plumb në kokë.
Nëna e fëmijës ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen dhe rrëmbimin e të birit. Fëmija, i cili nuk është më shumë se 12 vjeç, u ka treguar prindërve gjithçka që ka ndodhur në pyllin e Sodës dhe kërcënimin me jetë që i është bërë nga rrëmbyesit. Fëmija në detaje ka përshkruar të gjithë situatën, kohën e rrëmbimit, pretendimet e vëllezërve Hoxhaj për dokumentet e makinës, kërcënimet që ata i kanë bërë atij, e të tjerë. Pas marrjes së deklaratës të F.D., policia ka shkuar në banesën e vëllezërve Hoxhaj. Ata janë arrestuar dhe aktualisht ndodhen në dhomat e paraburgimit, ku do të gjykohen për veprën penale të “pengmarrjes së një të mituri”, ndërsa fëmija i është bashkuar familjes pas depozitimit të dëshmisë së tij.