Prokuroria: Kalonin testet, edhe pse nuk ishin të pranishëm
Fier – Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet ndaj tre prej të dyshuarve për implikim në aferën e lëshimit të patentave abuzive, ndërsa ka ndarë hetimin për pjesën tjetër. Dosja hetimore tashmë i është përcjellë gjykatës me tre emra të pandehurish që dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin mundësonin dhënien e lejeve të drejtimit të mjeteve të transportit, edhe pa prezencën e aplikantëve. Nëpërmjet përgjimeve dhe metodave speciale të hetimit, hetuesit kanë arritur të zbardhin gjithë skenarin e dhënies së lejeve të drejtimit të mjeteve, edhe personave që nuk jetonin në Shqipëri. Madje disave u plotësoheshin testet nga vetë komsionierët.
Të akuzuarit
Prokuroria ka ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”, ndaj komisionerit Paskal Bello, 51 vjeç, banues në qytetin e Fierit. I pandehuri tjetër Bujar Tahiri, 57 vjeç, drejtues i autoshkollës “Tahiri”, banues në Fier, akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe atë të “korrupsionit pasiv në sektorin privat”. Ndërsa ndaj instruktorit të jashtëm të autoshkollës “Tahiri”, Vladimit Nebiaj, 56 vjeç, prokuroria ka ngritur vetëm akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Të tre të pandehurit janë hetuar nën masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”.
Abuzimet
Nga hetimet e organit të akuzës ka rezultuar se të pandehurit Tahiri dhe Nebiaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer ndërmjetësime të komisionerëve të aftësive të provimit teorik dhe praktik të lëshimit të patentave, me qytetarë të interesuar për përfitimin e lejeve të drejtimit për automjete. Në kërkesën për gjykim thuhet se nga hetimi ka rezultuar që personave të ndryshëm të regjistruar pranë autoshkollës “Tahiri”, u janë plotësuar orët fiktivisht, edhe pse ata nuk janë paraqitur asnjëherë në programet mësimore teorike dhe praktike për drejtimin e mjeteve. Ka rezultuar se këta persona janë shpallur fitues edhe pse s’kanë qenë të pranishëm në këto programe mësimore. Nga përgjimet e kryera me kërkesë të akuzës, është konstatuar se komisioneri Paskal Bello ka ndihmuar një aplikant në plotësimin e tezës. Është konstatuar se aplikanti, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë program mësimor ka paguar para shtesë, veç atyre që parashikon taksa në fjalë. Nga përgjimet është arritur të sigurohen prova se aplikanti i ka dhënë një sasi parash instruktorit të autoshkollës, i cili i ka premtuar se ai do të ndihmohej nga një prej komisionerëve. Aplikantin e ka ndihmuar komisioneri Paskal Bello, i cili sipas prokurorisë e ka kryer këtë veprim në kundërshtim të plotë me Kodin Rrugor. Bello dyshohet se ka ndikuar edhe në një tjetër rast në dhënien e parregullt të patentës.
Pronari
Ndërkaq, edhe drejtuesi i autoshkollës “Tahiri”, akuzohet për korrupsion pasiv në sektorin privat, pasi dyshohet se kundrejt shumave të parave u ka mundësuar personave të ndryshëm leje drejtimi të automjeteve, pa qenë të pranishëm në testime. Madje, dyshohet se ndikimi i tij është kryer edhe mbi punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor të Tiranës. Mësohet se në dosjen hetimore të prokurorisë janë katër raste të provuara kur personave të ndryshëm u janë marrë para dhe u është lejuar marrja pjesë në testime, edhe pse s’kanë qenë të pranishëm në orët mësimore. Rezulton se ka pasur aplikantë që janë ndodhur jashtë shtetit gjatë kohës që kanë qenë të regjistruar në kurse. Ndërsa instruktori Vladimir Nebiaj dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit në ndërmjetësimin dhe gjetjen e personave, kërkimin e marrjes e përfitimit të parregullt. Nga përgjimet ka rezultuar se aplikantët që nuk merrnin pjesë gjatë orëve mësimore, u kërkohej dyfishi i parave të atyre që e frekuentonin kursin. Ndërkaq, të tjera para që jepte aplikanti para futjes në provimin teorik dhe atë praktik, dyshohet se shkonin në favor të komisionerëve.