Parlamenti Europian institucionalizoi dje shqetësimin e tij në lidhje me rritjen e toneve nacionaliste nga Kryeministri Berisha. Sipas “Top Channel”, shqetësimi nga retorika nacionaliste është kthyer tashmë në një amendament për rezolutën e Parlamentit Europian, e cila do të votohet të mërkurën e javës që vjen në mbledhjen e ministrave të Bashkimit Europian. Ky amendim pritet të theksojë në mënyrë të qartë se “Shqipëria duhet të ruajë marrëdhënie të mira me fqinjët”. Sipas “Top Channel”, nëse ky paragraf përfshihet në konkluzione, ai do të “errësonte” për herë të parë një prej politikave të rralla të lavdëruara nga BE dhe që është qasja konstruktive e Shqipërisë në marrëdhëniet me fqinjët në rajon. Pavarësisht se Shqipëria ka humbur të gjitha shanset për të marrë statusin e vendit kandidat këtë vit, në Bruksel mbledhjet për Shqipërinë nuk kanë munguar në kuadër të kushteve të reja që do të miratohen për vendin tonë për të arritur marrjen e statusit. Për Shqipërinë, aktualisht është shtruar dhe nevoja për të vendosur si kusht për statusin mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershorin e vitit tjetër.
Sipas burimeve të “Top Channel”, të paktën tri vende Gjermania, Holanda dhe Franca këmbëngulin ende që për zgjedhjet, në konkluzione të përdoret në mënyrë të prerë fjala “kusht”, por ndërsa vendet e tjera pajtohen se zgjedhjet janë kusht, preferojnë që kjo të mos figurojë kaq prerë në tekstin përfundimtar. “Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor i mirëfunksionimit të institucioneve demokratike”, është përkufizimi aktual, subjekt ndryshimi, siç rrëfejnë burimet. Teksti i draft-konkluzioneve të Parlamentit Europian do t’i kalojnë të hënën për diskutim Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ndërsa vendimin përfundimtar dhe zyrtar e merr Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që mblidhet të martën, më 11 dhjetor. Vendimi i Ministrave i kalon vetëm për miratim formal krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në ditën e dytë të samitit europian, më 14 dhjetor. Ministrat e Bashkimit Europian, të cilët do të mblidhen në Bruksel nuk pritet t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat këtë vit. Kjo është bërë publike dy ditë më parë në agjencinë europiane “EurActiv”, e cila ka cituar burime të sigurta diplomatike. Diplomatët perëndimorë kanë deklaruar se për momentin nuk presin një vendim për Shqipërinë, duke shtuar se vendi duhet të bëjë “më shumë”, për t’u kualifikuar, veçanërisht në plotësimin e 12 rekomandimeve të lëna nga Komisioni në raport-progresin e tetorit. Mbajta e zgjedhjeve është një tjetër çështje shqetësuese, theksojnë ata për “EurActiv”. Në lajmin për këtë zhvillim theksohet se Holanda ka kundërshti të ashpra për marrjen e statusit nga Shqipëria, duke deklaruar se ai nuk meritohet ende nga vendi ynë.
Deklarata e Jonathan Moore
SHBA: Shqipëria të rrijë larg nacionalizmave
Drejtori i Zyrës për Çështje të Europës Jugore e Qendrore, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore deklaroi gjatë një vizite në Shqipëri se nacionalizmi nuk ishte një zgjidhje. Sipas tij, nacionalizmi në Ballkan ka sjellë pasoja të shumta dhe ndaj politika shqiptare duhet t’u qëndrojë larg qasjeve të tilla.
“Ka qenë shumë e rëndësishme të dëgjoja nga të gjithë ata me të cilët kam folur se Shqipëria nuk ka qëllime, nuk ka dëshirë të ndryshojë kufijtë e saj dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm si për njerëzit në këtë vend ashtu edhe për fqinjët tuaj”, deklaroi zyrtari i lartë i DASH.
Arsyeja
Nacionalizmi i rritur tek Berisha është gjykuar si i motivuar nga zgjedhjet e radhës
Integrimi
Afatet
Shqipëria ka kaluar çdo afat të përcaktuar nga Komisioni Europian për të përmbushur detyrimet e mbetura.
Refuzimi
Bashkimi Europian, në mënyrë përfundimtare nuk e miratoi kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin kandidat këtë vit.
Zgjedhjet
Vendet anëtare të BE-së po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së zgjedhjeve si kusht zyrtar për marrjen e statusit.
Retorikat
Kryeministri
Berisha ka nisur të flasë mbi nevojën e bashkimit kombëtar dhe albanofobinë që ka përfshirë fqinjët.
Reagimi
Këto qëndrime të kreut të qeverisë kanë bërë që zyrtarët e lartë grekë dhe maqedonas të anulojnë vizitat në Shqipëri.
Ankesat
Ministri i Jashtëm grek e paraqiti shqetësimin e tij mbi rritjen e nacionalizmit në Shqipëri në samitin e radhës të NATO-s.