Gjykata e Tiranës ka lënë në burg për 40 ditë Paro Laçin, administratorin e klubit të futbollit “Partizani”, i cili u arrestua ditën e premte për llogari të shtetit italian.
Gjykata i ka lënë 40 ditë kohë autoriteteve italiane për të ndërmarrë dhe përfunduar proceduarat e ekstradimit për në shtetin fqinj.
Paro Laçi u arrestua ditën e premte në zonën e “21 Dhjetorit” në kryeqytet.Ai kërkohet nga drejtësia italiane, pasi rezultonte i dënuar nga Gjykata e Milanos me 10 vjet e 4 muaj burg, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Emri i zyrtarit të klubit të futbollit “Partizani” është lakuar disa herë edhe nga autoritetet ligjvënëse në Shqipëri. Një vit më parë ai la qelinë dhe u çlirua nga akuzat për korrupsion. Laçi u akuzua se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kishin tentuar të ndikonin te gjykatësit e Apelit në Shkodër për lirimin nga burgu të të dënuarit Altin V., i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Më herët ai u padit nga ish-presidenti i “Partizanit”, Albert Xhani. Ky i fundit ka regjistruar një padi në Gjykatën e Tiranës në drejtim të ish-ortakut të tij, me pretendimin se në datën 15 dhjetor të vitit 2009 i ka dhënë hua një shumë financiare, të cilën Paro Laçi nuk ia ka shlyer.
9 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)