Dimri është ulur “këmbëkryq” në Veri të vendit. Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta të 24 orëve të fundit, kanë shkaktuar bllokim të rrugëve rurale, vështirësi në qarkullimin e automjeteve në rrugët kombëtare dhe probleme në furnizimin me energji elektrike. Reshjet e  dëborës dhe ngricat  kanë krijuar probleme edhe në Jug-Lindje të vendit.


Kukës


Reshjet e dendura të dëborës që kanë përshirë qarkun e Kukësit prej dy ditësh kanë vështirësuar kalimin në Rrugën e Kombit. Dëbora ka arritur deri në 40 centimetra në aksin Morinë-Kukës-Kalimash duke detyruar autoritetet rajonale të punojnë me 5 borëpastruese vetëm në këtë rrugë, për ta mbajtur të hapur. Qarkullimi i automjeteve ka qenë i vështirë, por pritet që situata të përkeqësohet gjatë natës, për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të ulëta. Reshjet e borës kanë krijuar probleme dhe akset rrugore që lidhin Komunat Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Lekëbibaj. Ndërkaq një defekt në linjën e tensionit të lartë Fierzë-Fushë Arrës ka lënë pa energji elektrike prej dy orësh Pukën, Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Specialistët deklarojnë se po punohet për riparimin e defektit, ndërsa CEZ Shpërndarje ka deklaruar se ditën e sotme në veri të vendit ka munguar furnizimi normal me energji elektrike.


Shkodër


Reshjet e dëborës kanë krijuar probleme dhe zonat malore të qarkut Shkodër. Situata paraqitet më e vështirë në rrethin e Malësisë së Madhe, ku trashësia e dëborës ka arritur në 60 cm. Rrugët nacionale në këtë rreth janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Probleme janë krijuar edhe në rrethin e Shkodrës, në akset e rrugëve rurale të Qafë Thores dhe në aksin e Prekalit, segmenti që lidhet me Komunat Shalë, Shosh, Pult, ku trashësia e dëborës, në qendër të Komunës Shalë dhe disa zona përreth është 50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në këtë zonë.


Korçë


Bora ka mbuluar edhe rajonin Juglindor të vendit, ku kanë nisur të shfaqen problemet e para në qarkullimin e automjeteve. Dhjetëra automjete janë bllokuar prë tre orë në Qafën e Plloçës, që lidh rrethin e Pogradecit me atë të Korçës. Policia rrugore ka ndërhyrë për normalizimin e situatës dhe ka ndaluar të gjithë automjetet që nuk ishin të pajisur me zinxhirë. Lëvizja e mjeteve po kryhet vetëm në njërin krah të rrugës, pasi në tjetrin po punon borëpastruesja. Vështirësi janë paraqitur edhe në Qafën e Qarrit, Qafën e Zvezdës dhe Qafën e Thanës, por nuk ka pasur bllokim të qarkullimit.


9 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)