Policia e Vlorës arreston Bledar Jambellin për ekzekutimin e Amarildo Delajt më 4 shtator të këtij viti


Zbardhet vrasja e ndodhur dy muaj më parë në Vlorë, kur pronari i një lokali u qëllua për vdekje, ndërkohë që u plagosën dy persona të tjerë. Policia e qytetit bregdetar, me urdhër të prokurorit, ka arrestuar personin e dyshuar për krimin e rëndë, ndërkohë që dyshohet se ai ka kryer edhe disa vepra të tjera penale në këtë qytet. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë vënë në pranga 34-vjeçarin Bledar Jambelli, lindur e banues në fshatin Mbrostar të Fierit, pasi dyshohet që të jetë ekzekutori i Amarildo Delajt. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 4 shtator 2012 në lagjen “Osman Haxhiu” në Vlorë, në ambientet e lokal “Klind”, që ishte në pronësi të viktimës. Vrasësi ka qëlluar me breshëri drejt Delajt, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që nga atentati ka mbetur i plagosur edhe Stavri Beqiraj, i cili ka qenë klient në lokalin ku ndodhi krimi i rëndë, por edhe shok i ngushtë i viktimës. Në atë kohë, mbi trupin e Delajt është qëlluar me mbi 10 plumba, të cilët i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia, e cila ka bërë këqyrjen e vendngjarjes, ka vërtetuar se 28-vjeçari Amarildo Delaj ndërroi jetë, nga plumbat e shumtë që kishte në trup. Ndërsa shoku i tij Beqiraj ka marrë dy plumba në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në spital. Pasi ka bërë rrethimin e lokalit, në të cilin gjendej 28-vjeçari pa jetë, policia ka kryer veprimet e para hetimore, duke vërtetuar se në krahun e majtë të lokalit “Klint”, nga pjesa e jashtme, janë shtënë 18 plumba, nga një armë tip kallashnikov. Në momentin e vrasjes, ai ndodhej në banakun e lokalit, duke punuar në kompjuterin e tij. Nga të shtënat, dy prej plumbave kanë përshkuar dhe pjesën e barkut të 27-vjeçarit Stavri Beqiraj. Pas kësaj, autori ka arritur që të zhduket, ndonëse ngjarja ka ndodhur afër banesës së viktimës, pasi lokali ishte ngjitur me atë. Në një hark të shkurtër kohor, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës, nuk është më shumë se 200 metra larg lokalit, në të cilën u krye vrasja. Dyshimet e para për këtë krim kishin të bënin për larje hesapesh, ndërkohë që pas arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes, policia nuk ka dhënë ende një motiv zyrtar. Megjithatë, burime të besueshme pranë grupit hetimor thanë se i arrestuari dyshohet edhe për disa ngjarje të tjera të rënda në qytetin bregdetar të Vlorës. Bledar Jambelli akuzohet për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”.