Rebelët kapin një bazë të rëndësishme ushtarake, por islamikët patën meritën kryesore
Rebelët e Sirisë të mbështetur nga islamikët radikalë vunë nën kontroll qendrën e komandës së veriut të ushtrisë së Presidentit Bashar al-Assad njoftuan aktivistët dje, ndërkohë që Rusia hodhi poshtë spekulimet se ka ndryshuar qëndrim dhe se po punon për largimin e aleatit të vet nga ky vend.
Forcat e Assad goditën njësitë e rebelëve në periferi të Damaskut, ndërsa u përpoqën të largojnë kundërshtarin nga qendra e pushtetit të udhëheqësit të tronditur. Rebelët kanë arritur shumë suksese gjatë javëve të fundit, pjesërisht falë ndihmës së disa grupimeve islamike si Jabhat al-Nusra, një grup i lidhur me Al Qaeda-n e Irakut, grupim që është përjashtuar nga komanda e re ushtarake e rebelëve.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se organizata Jabhat al-Nusra, e cila ka bërë thirrje për krijimin e një shteti islamik në Siri, ka marrë pjesë në kapjen e qendrës së komandimit të regjimentit të 111 të ushtrisë së Sirisë në veri të vendit.
Ndërkohë, Rusia, furnizuesi kryesor me armë i Sirisë, i hodhi poshtë aludimet se ka ndryshuar qëndrim dhe se mund të tërheqë mbështetjen për Assad.
“Ne nuk po zhvillojmë bisedime mbi fatin e Assad”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pasi u takua me sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, dhe të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Lakhdar Brahimi.
Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s kanë mbështetur opozitën dhe po kërkojnë largimin e Assad për t’i dhënë fund konfliktit që ka shkaktuar më shumë se 40 mijë viktima. Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezolutat e propozuara në OKB kundër Assad.
Rebelët kanë kapur shumë baza ushtarake gjatë javëve të fundit, megjithëse shumë ekspertë thonë se forcat e tyre nuk janë ende në gjendje të rrëzojnë Assad. Por suksesi i fundit për kapjen e komandës së një regjimenti në provincën e Alepos, tregon bashkëpunim në rritje dhe ndoshta edhe aleancë me islamikët radikalë, të cilët kanë rezultuar luftëtarët më efektivë. Radikalët, gjithsesi vlerësohet se janë grupime të vogla në krahasim me fraksionet e tjera të opozitës.
Damasku është bërë një nga zonat kryesore të luftimeve gjatë javëve të fundit dhe rebelët kanë arritur të bllokojnë fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të vendit. Rebelët publikuan video së fundmi ku tregohen luftime të ashpra në Damask, si dhe një tanks tërësisht operacional të kapur prej tyre nga ushtria e Assad.