Turi


Lideri i opozitës, takim me bizneset e vogla në Paskuqan: Do të heqim detyrimet


Papunësia, mungesa e energjisë elektrike dhe emrat në listat e borxhlinjve të dyqaneve, ishte panorama e jetës së banorëve të Paskuqanit me të cilën u përball kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë takimeve që pati në këtë zonë. Selman Hasa është me origjinë nga Tropoja. I zhvendosur për një jetë më të mirë në Paskuqan ai ka ndërtuar këtë biznes të vogël. Nuk kursehet së lëshuari kritika ndaj qeverisë dhe PD, anëtar i së cilës thotë se është që prej vitit 1991. Selmani tregon blloqet që nuk mbarojnë, ku borxhet janë të shënuara sipas një rregulli të brendshëm, nga më të freskëtat deri tek ato me shumë zero mbrapa. “Librat e borxheve janë, s’dihet se sa për Zotin. Gjynah është me fol. Nuk ke çfarë thua. Kanë njerëzit nga një milion, një milion e 200. Vetë unë jam pesë milionë borxh te tregtarët”, thotë Hasa. Partia Socialiste, siguroi Edi Rama, nuk mund kurrsesi ta lërë Shqipërinë të katandiset si vendet afrikane sa i përket korrupsionit, por do të financojë më shumë për arsimin, shëndetësinë, duke i dhënë një frymëmarrje të re biznesit të vogël përmes heqjes së taksës. “Kjo punë nuk vazhdon dot kështu. Është një rrënim i vazhdueshëm. Këtu jemi vetëm tri minuta nga Tirana, megjithëse edhe në Tiranë gjendja nuk është më e mirë kur vjen puna te biznesi. Biznes i thënçin se kjo është vetëpunësim. Taksën e biznesit të vogël ne do ta heqim dhe absolutisht jam i bindur që në qoftë se do ulim maksimalisht dhe taksën e korrupsionit që e katandisi Shqipërinë me Nigerinë dhe me Etiopinë, turp i madh, simbole të korrupsionit botëror, do gjejmë mundësi edhe të financojmë më shumë për arsimin e fëmijëve, të financojmë më shumë për shëndetësinë, të financojmë më shumë patjetër për ekonominë”, deklaroi përpara banorëve të Paskuqanit kryesocialisti Rama. Partia Socialiste, tha Rama, ashtu sikundër ka premtuar do t’u rikthejë dinjitetin bizneseve dhe qytetarëve duke i taksuar drejt dhe ndershëm.


 


Premtimi – “Nëse do ulim maksimalisht dhe taksën e korrupsionit që e katandisi Shqipërinë me Nigerinë dhe me Etiopinë, turp i madh, simbole të korrupsionit botëror, do gjejmë mundësi edhe të financojmë më shumë për arsimin e fëmijëve, të financojmë më shumë për shëndetësinë, të financojmë më shumë patjetër për ekonominë”