Elbasan 


Aleanca Kuqezi jep alarmin e cenimit të sovranitetit kombëtar. Kjo nuk do të realizohet nga një mësymje ushtarake, por drejtuesi i AK-së, Kreshnik Spahiu, thekson se ajo mund të arrihet nga rritja e borxhit qeveritar. “Sot, Shqipëria po shkon drejt falimentimit si shtet nën praktikën e vendit fqinjë Greqisë, për shkak të borxhit dhe krizës ekonomike. Heqja e limitit të borxhit është fundi i marrëzisë qeveritare dhe juridikisht është cenim i rëndë i sovranitetit të vendit. Kjo qeveri deklaron se ka një buxhet të madh, por i ngjan atij njeriu që ka marrë në një muaj 5.000 lekë borxh. Muajin tjetër merr 10.000 lekë të tjera dhe thotë ‘u bëra me lek’ me paratë e të tjerëve. Kjo qeveri nuk mund të mashtrojë një popull kur ajo ka një borxh tejet të madh dhe gjithmonë në rritje. Berisha në ikje po tenton t’u lërë kuqezinjve një shtet në faliment dhe ku gjithë vendi të digjet në kolaps. Aleanca Kuqezi do të mbështetet tek prodhimi vendas dhe do të rikthejë ekonominë nacionale dhe administrimin e saj. Çdo pasuri do t’i mbetet vlerave dhe pasurive kombëtare. Nafta, pyjet, turizmi, kromi dhe gjithçka do të mbeten pasuri të shqiptarëve dhe jo të familjes së krokodilit, që në prag të mbytjes po tenton të gëlltisë gjithçka”, tha Spahiu në një takim politik të AK-së në qytetin e Elbasanit. Ai lëshoi akuza të forta në drejtim të qeverisë së Sali Berishës, lidhur me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Europian. “22 vjet më parë, miliona shqiptarë thërrisnin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, po pas një çerekshekulli, Europa na i ka mbyllur dyert për të disatën herë. Mesazhi i Europës është krejt i qartë ‘Largoni krokodilin e politikës dhe më plakun e sistemeve totalitare. Shqipëria po ngel në klasë për të tretin vit radhazi, duke shënuar rekordin më negativ në historinë e Europës dhe ku Serbisë po i jepet raport progresiv, Shqipëria merr vetëm vlerësime negative. Kjo notë ngelëse është për qeverinë dhe Parlamentin. Brukseli i ka lëshuar një mesazh të qartë të gjithë popullit shqiptar për largimin e kastës së vjetër politike, e cila mendon për vete dhe ka tradhtuar interesat e kombit shqiptar. Këta nuk mbarojnë një punë të vogël dhe flasin për Shqipërinë e madhe”, deklaroi Spahiu.


 


 


PS nis denoncimet ndaj qeverisë


Partia Socialiste po bëhet gati për të vijuar me denoncimet e saj kundër qeverisë. “Sali Berisha erdhi në pushtet për të ‘ndryshuar Shqipërinë’! Në fakt, ndryshoi shtëpinë. Iku nga Braka, erdhi në Bllokun e Vogël, pas Kryeministrisë! Ndryshoi shtëpinë e vajzës, të djalit, të kunatit, të mbesës së tij, mbesës së gruas! Shtoi dhe vilat për ta, njëra në ‘Bllokun e Ri’, në Lalëz! Secili prej ministrave të tij ndryshoi shtëpinë dhe shtoi vilën, në ‘Bllokun e Sandrit’, në Golem, apo në ‘Bllokun e Ri’, në Lalëz! Ky është Sali Berisha dhe ju gënjeu! Një valë e re publikimesh po vjen!”, shkruan Braçe në “Facebook”.