A funksionon dot si qytet?


Robin Banerji, BBC



Oscar Niemeyer arkitekti brazilian që vdiq javën e kaluar do të kujtohet më së shumti si arkitekti i Brazilias, qyteti që ai ndihmoi të dizajnohet vonë në vitet 1950. Arkitektura e tij moderniste e bëri kryeqytetin e Brazilit një vend trashëgimi botërore nga UNESCO. Por a funksionon me të vërtetë si qytet?


Brazilia u planifikua nga zero si një qytet ideal dhe u ndërtua mbi një rrafshnaltë të zbrazët. Niemeyer qe arkitekti dhe Lucio Costa, planifikuesi urban. Ideja qe, sipas fjalëve të Niemejer, “të ndërtohet një kryeqytet i ri për të sjellë progres në brendësi të Brazilit”.


I ndërtuar në zemër të vendit, Brazilia u ideua të bëhej krejtësisht e kundërta e kryeqytetit të vjetër në bregdet, Rio de Zhaneiro. Brazilia do të ndërtohej pa trashëgiminë koloniale, pa arkitekturën barok apo klasike, pa qytetet e barakave të të varfërve.


Ky qe qyteti i ri i linjave të pastra, planifikimit racional dhe hapësirës. U shpenzuan shumë para. U ndërtua që në të të udhëtohej jo më këmbë, por me makinë. Nga ajri, qyteti u dizajnua si një aeroplan, pasi qe epoka e dashurisë me udhëtimet ajrore. Krahët qenë zonat ku burokratët e Brazilit do të jetonin, trupi do të qe aty ku ata do të punonin, përfshirë ndërtesat e ministrive të reja.


“Unë nuk dizajnova shtrirjen e Brazilias. Unë thjesht bëra arkitekturën. Dhe është një vend ku ndërtesat kanë shumë rëndësi. Qyteti është i sheshtë. Horizonti vijon pa fund. Presidenti (Jushelino) Kubitschek dëshironte të ndërtonte një kryeqytet të ri. Por nuk dëshironte të ndërtonte një si ata të vjetrit. Dëshironte të ndërtonte diçka që do të përfaqësonte Brazilin. Kështu unë iu përkushtova për të gjetur një zgjidhje të re, diçka që do të tërhiqte vëmendjen”, tha Niemeyer në një intervistë në vitin 2000.


Arkitektura e tij me të vërtetë tërhoqi vëmendjen. Shumica besojnë se ndërtesat në Brazilia janë elegante dhe habitëse.


“Një bukuri që na përndjek” dhe “absolutisht magjik”. Këto janë fjalët që përdor arkitekti britanik, Norman Foster, për të përshkruar ndërtesat e Niemeyer në Brazilia. “Një trupë pune e madhe nga një arkitekt i madh”.


“Ka një optimizëm të mrekullueshëm dhe bukuri dhe dritë te to. Ato e bëjnë jetën më të pasur për këdo që i përdor”, thotë Lord Foster. Ai e cilëson pallatin presidencial të Niemeyer në veçanti “një xhevahir”.


Por si është jeta në Brazilia? A është Brazilia një utopi apo një xhungë betoni?


“Problemi me Brazilian si me çdo gjë që është e re është se ka disa dobësi”, thotë Ricky Burdett, profesor i studimeve urbane në Shkollën Ekonomike të Londrës.


“Problemi është se ai nuk është një qytet. Nuk është e thjeshtë. Nuk është një çështje nëse është një qytet i mirë apo i keq. Thjesht nuk është një qytet. Nuk ka përbërësit e një qyteti: Rrugë të përhapura, njerëz që jetojnë mbi dyqane apo zyra pranë”, i tha Burdett BBC në vitin 2010.


Pra nëse Brazilia nuk është një qytet, atëherë çfarë është?


“Thjesht nuk ka kompleksitetin e një qyteti normal. Është një lloj kampusi zyrash për qeverinë”, thotë Burdett, i cili qe kryekëshilltar për Arkitekturën dhe Urbanizmin për lojërat olimpike të Londrës 2012. “Njerëzit arratisen nga ky qytet mbrëmjeve të së enjtes dhe shkojnë në Sao Paulo apo Rio për qejf”.


Planifikuesit modernë urbanë sugjerojnë me këmbëngulje përdorimin e lagjeve të përziera. Por në Brazilia, ndodh pikërisht e kundërta, çdo gjë është zonuar.


“Aty ka një vend ku mund të punosh. Ka zona ku ambasadorët duhet të flenë dhe janë jashtëzakonisht të palumtur për këtë, për shkak se nuk ka jetë në rrugë, thotë Burdett.


“Është një pamje marramendëse: kur fluturon mbi qytet ti shikon vetëm drita neoni të përqendruara në një zonë për shkak se aty është zona ku gjenden dyqanet”.


Por përreth strukturave të ngritura të Niemeyer, jeta e zakonshme njerëzore e ka vendosur veten. “Gjithçka që duhet të bësh është të largohesh nga qendra e Brazilias dhe të gjesh sheshe dhe rrugë normale ku luajnë fëmijët, vende të hapura çdo orë të ditës dhe natës, duke shitur ushqim dhe alkool ilegal apo çdo gjë tjetër”, thotë Burdett.


Pjesërisht problemi me Brazilian është se pati sukses tepër të madh. I dizajnuar për 500 mijë njerëz, qyteti tashmë ka 2.5 milionë banorë. Kompleksi i apartamenteve, të cilat simpatizanti komunist, Niemeyer, dizajnoi shtëpi për të pasurit mes të varfërve, tashmë janë shtëpi për të pasurit mes të pasurve.


Njerëzit që jetojnë në Brazilia vlerësojnë punën e Niemeyer, por qyteti mund të jetë i vështirë për t’u jetuar. “Është i vështirë për këmbësorët. Nuk ndihet gjithmonë se është ndërtuar në shkallë të përshtatshme për njerëzit”, thotë Lucy Jordan një gazetar.


“Të varfrit janë izoluar nëpër qytete periferike, të cilat variojnë nga qytete të ndërtuara mirë deri ato të ndërtuara si qytete barakash. Pra ideali utopik nuk punoi tamam me Brazilian”.


Sido që të qenë kritikat për Brazilian, Niemeyer i qëndroi krijimit të tij. “Nëse shkon të shohësh Brazilian, është një gjë e rëndësishme: Ti mund t’i pëlqesh ose të mos i pëlqesh ndërtesat, por nuk mund të thuash kurrë se ke parë diçka të ngjashme më parë. Ato kolona të shkëlqyera, ndërtesat që e prekin tokën si pupla, e gjitha kjo krijon efektin e surprizës. Nuk i kushtoj shumë vëmendje kriticizmit të njerëzve. Projekti është realizuar. Si çdo gjë tjetër ajo ka pika të mira dhe pika të këqija. Njerëzit që kritikojnë, ose e bëjnë këtë nga zilia ose se nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë”.


Ndoshta është thjesht tepër herët për të folur. “Shumica e vendeve që ne dashurojmë, apo që të gjitha, nga Kajro te Londra, ose kërkuan 5 mijë apo 6 mijë vjet për të arritur aty, ose kërkuan 2 mijë apo 3 mijë vjet”, thotë Burdett.


Brazilia është vetëm 50 vjet i vjetër. “Nuk duhet të tregohemi të pakëndshëm, duhet të presim edhe 200 vjet para se të flasim për të”.


 


Komenti 1


“Çështja nuk është nëse kemi të bëjmë me një qytet të mirë apo të keq – Brazilia thjesht nuk është një qytet”


Ricky Burdett


Shkolla Ekonomike e Londrës


Komenti 2


Është i vështirë për këmbësorët. Nuk ndihet gjithmonë si një vend i dizajnuar në përmasat e përshtatshme për njerëzit”


Lucy Jordan


Gazetar


 


Ndërtimi i Brazilias


60000 punëtorë e ndërtuan qytetin brenda tri viteve.


U përdor 1 milion metra kub beton.


100 mijë metra linearë çelik.


Çimentoja u dërgua me aeroplan në vendin e ndërtimit, sepse në atë kohë nuk kishte rrugë.


U inaugurua më 21 prill 1960.