Ligji i ri: ISKSH kthehet në fond sigurimesh. Kontrata, vetëm me spitalet që ofrojnë çmime të ulëta
Lorina Mixha
loQytetarët që paguajnë sigurime shëndetësore do të marrin falas shërbimin shëndetësor nga mjeku i familjes, në spital universitar e mund të trajtohen edhe në qendra private.
Ata që nuk kanë sigurime shëndetësore, përveç në rastin e urgjencave do të paguajnë gjithçka, çdo shërbim spitalor, duke derdhur paratë në sportelin e spitalit.
Ata që paguajnë kontribute të nivelit mesatar, dhe derdhin çdo muaj në “arkën e madhe” shumë të konsiderueshme do të kenë mundësi jo vetëm të përfitojnë nga ofertat e spitaleve private, por të bëjnë ndërhyrje, trajtime edhe më të shtrenjta, duke paraqitur librezën e shëndetit dhe duke plotësuar koston edhe me para në dorë. Ky sistem do të quhet bashkëfinancim.
Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha se në mars të vitit të ardhshëm që do të hyjë në fuqi ligji i ri i sigurimeve, ISKSH do të nënshkruajë marrëveshje dhe kontrata me spitalet private, por më parë ata duhet të ulin çmimet dhe strukturat e fondit të sigurimeve të shqyrtojnë mundësitë më të mira.
Po ashtu në kontraktim me shtetin do të hyjnë ato spitale private që janë të licencuara dhe akredituara. Nga dhjetori deri në muajin shkurt ISKSH do të jetë duke shqyrtuar ofertat e spitaleve private, ndërkohë që qendrat shëndetësore private do të përfshihen në rivalitet dhe do të jenë të detyruara të ulin çmimet për pacientët e siguruar.
Shërbimi privat
Pavarësisht se ligji vë theksin te sistemi publik shëndetësor, që është dhe pjesa më e rëndësishme e tij, në të lihet hapësirë dhe për shërbimin privat. “Kontraktimi me shërbimin privat, do të rrisë mundësitë dhe alternativat e marrjes së shërbimeve shëndetësore nga ana e popullatës, por ne shpresojmë që sektori privat, pas akreditimit dhe konsolidimit të tij, të sjellë cilësi të mirë dhe konkurrencë reale në treg”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Kontraktimi i spitaleve private për paketa shërbimi të caktuara, apo pjesë të tyre, do të bëhet pas procesit të akreditimit dhe nëse sjellin risi dhe ulje të çmimeve në krahasim me publikun, por edhe cilësi më të mirë në raste të tjera, duke lejuar edhe bashkëpagesën mënyra e aplikimit të së cilës është për t’u përcaktuar.
Do të krijohet për herë të parë, regjistri i ri i të dhënave private të shërbimit, i cili do të përfshijë vetëm subjekte të licencuara dhe akredituara, dhe më tej, do të jetë Këshilli Administrativ i ISKSH-së, që do të miratojë metodat dhe kriteret e kontraktimit për dhënësit e shërbimeve shëndetësore duke stimuluar aksesin e shërbimeve, efektivitetin e kostos së tyre dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj popullatës.
Fondi i sigurimeve
Me ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, instituti do të quhet “Fondi i sigurimit të detyrueshëm për kujdesin shëndetësor” dhe do të menaxhojë financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
“Por për një financim të mirë të shërbimeve shëndetësore, duhet të vazhdojnë investimet për ruajtjen e të dhënave ekzistuese, në mënyrë që të evidentohen të gjitha shërbimet e dhëna për pacientët dhe duhet pasur parasysh që, struktura e shpenzimeve të jetë në favor të prevencionit, pasi sjell shkurtim të kostove dhe mbi të gjitha, rrit cilësinë e jetës për pacientët”, tha drejtoresha e ISKSH-së.
Sipas saj, ka nevojë për një përmirësim të modelit të pagesave në spitale dhe dhënien e bonuseve për pacientë të trajtuar e të shëruar, që parashikohet në ligj, duke e vënë theksin dhe promovuar jo më shumë trajtime, por më shumë shëndet.
Sipas ekspertëve të financës në shëndetësi, ky ligj bazohet në parimin e solidaritetit, mbrojtjen e të varfërve dhe ka si synim të realizojë mbulimin universal të popullatës për përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Por, është e një rëndësie parësore, krijimi i terrenit të përshtatshëm për funksionimin e ligjit, siç është akreditimi i institucioneve shëndetësore, si publike ashtu edhe private, një proces themelor në përfshirjen e mëtejshme të shërbimeve shëndetësore në skemën e sigurimeve.
Deklarata
Hana: Popullsia e moshuar rrit kostot e shëndetësisë
“Fakti që ne kemi një popullsi më të moshuar, nuk është e vetmja arsye pse ne kemi kosto në rritje, por edhe sepse shpesh ngatërrohet nga të gjithë, se, shërbimi më i shtrenjtë, është shërbim më i mirë apo sepse, për një shkak apo një tjetër, shërbimet kanë filluar të fragmentohen, duke i dhënë më shumë përparësi sasisë dhe jo cilësisë”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
Sipas saj, ka një nevojë imediate për krijimin e paketave të shërbimeve që parashikohen në këtë ligj. Këto paketa, do të jenë të mirëpërcaktuara dhe shumë transparente, çka përbën dhe një element të rëndësishëm kundër korrupsionit. Transparenca do të jetë në të gjithë elementët, që nga përfshirja e pacientit në sistem deri te kostot që paguan fondi për pacientët, në çdo hallkë të sistemit, për çdolloj shërbimi.