Në një deklaratë për mediat, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka shprehur keqardhjen që për shkak të kapriçove politike, Shqipëria edhe këtë herë nuk mundi të nisi rrugën e saj zyrtare, për të qenë pjesë e Europës.


“Me gjithë mbështetjen e dhënë nga faktori ndërkombëtar, janë mosmarrëveshjet e brendshme, ato të cilat kanë frenuar rrugën europiane të Shqipërisë. Ky lajm i keq vjen pikërisht në kohën kur 22 vjet më parë mijëra të rinj shqiptar rrëzuan komunizmin me ëndrrën e madhe për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa. Por kjo ëndërr ende nuk po realizohet”, – thuhet në deklaratën e PDIU.


PDIU ka bërë thirrje që partitë politike të zgjidhin ngërçin e krijuar, duke mbledhur një tryezë në mënyrë që të arrihet konsensusi për kushtet e vendosura nga BE.


“PDIU ribën dhe një herë thirrjen e saj, tashmë të njohur prej muajsh, për mbledhjen e një tryeze të të gjithë partive politike, për të arritur në një zgjidhje të këtij ngërçi të krijuar, në mënyrë që shqiptarët të jenë të barabartë përkrah të gjithë shteteve të tjera, aty ku realisht e kanë vendin. Mosplotësimi i 3 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, solli që Komisioni Europian të heshti për Shqipërinë duke e lënë “topin në fushën tonë”. Tashmë na takon ne, si përfaqësues të zgjedhur të popullit, që të tregojmë se mbi gjithçka tjetër, duhet të vendosim Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”, theksohet në deklaratën e PDIU.


11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)