Partia Demokratike ka festuar ditën e sotme 22 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast PD ka organizuar një ceremoni të madhe në Pallatin Kongreseve, ku kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kreu i kësaj partie, Sali Berisha ka mbajtur një fjalim ku e ka vlerësuar themelimin e PD si një rilindje të dytë të Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë, pasi i hapi rrugën pluralizmit dhe doli kundër regjimit të hekurt të diktaturës komuniste si një parti e idealeve më fisnike
“Pas 28 Nëntorit 1912, themelimi i pluralizmit politik, rilindja e lirive dhe të drejtave tona do të përbënte ngjarjen më të rëndësishme historike në jetën e kombit shqiptar. Pluralizmi politik u themelua në një vend, në një shoqëri në të cilën, ai dhe të gjitha format e tjera të pluralizmit ishin shuar dhe zhdukur me zjarr dhe hekur nga diktatori me i egër, nga Hitleri i pasluftës që njohu Europa, Enver Hoxha. PD u themelua si parti e idealit me fisnik të njeriut, idealit të lirisë, në vendin e shtypjes më të egër, si parti e të drejtave njerëzore të shqiptarëve”, – theksoi Berisha.
Berisha theksoi se PD në themel të saj është parti e lirive, e ngjalljes së shpresave dhe realizimit të ëndrrave të qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se, mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar.
“Mandati i ardhshëm është mandati i Shqipërisë së zhvilluar. Ne jemi ndryshimi sepse në këto vite të krizës më të thellë që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit, me mundin dhe djersën, sakrificën, qëndruam si Davidi para Goliathit dhe sot ekonomia shqiptare ka rritje 4 herë më të madhe se ajo rajonale. Shqipëria është vendi i vetëm që ka shumëfishuar pagat, ka shumëfishuar investimet e huaja. Shqipëria dixhitale është mosha juaj. Ne jemi ndryshimi. Ne do të shembim murin e bllokimit. Vota e 23 qershorit është votë e integrimit, votë për të ardhmen, votë për zhvillimin”, deklaroi kryeministri.
11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)