Durrës
Dy shkolla me 1500 nxënës kanë mbetur pa mësim
Gjendja e vështirë e infrastrukturës, mungesa e kanalizimeve, rrugëve dhe godinave arsimore kanë nxjerrë në protestë dhjetëra banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës. Ata kërkojnë ndërhyrje emergjente për gjetjen e një zgjidhjeje për shkollën 9-vjeçare, ku mësojnë me tre turne 1500 fëmijë.
“Prej 8 vitesh kjo rrugë është skandal, është gjynah për ato dy shkolla që vijnë 1500 nxënës, nëpër shi, nëpër baltë, një pjesë e tyre kthehen dhe mbrapsht, shkojnë në shtëpi pa bërë mësim”, thotë Muharrem Aga, kryetar i bordit të prindërve.
“Asnjeri s’ka marrë masa, janë përzier ujërat e bardha me të zeza, askush nuk po vjen. Janë 1500 nxënës që kalojnë këtej dhe askush nuk po hedh një makinë zhavorr”, tha Rodon Qerreti, përfaqësues i komunitetit.
“Ne jemi banorë të dy pushteteve, ne duam rrugën e pastër, nuk duam të dimë kush i ka dhënë fondet e kush nuk i ka dhënë”, shprehet një banor, Ndue Gjini.
Për t’u solidarizuar me banorët lidhur me përmbytjet e herëpashershme të shtëpive në këtë zonë, ka qenë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti. Por ai është shprehur se për këtë problem nevojitet një zgjidhje afatgjatë dhe jo pastrime të pjesshme të kanaleve kulluese.
“Është një situatë totalisht e papranueshme, gati 1/4 e territorit të Durrësit gjatë periudhës së shirave është nën ujë, dhe kjo si rezultat i moskoordinimit të punës së institucioneve që veprojnë në territorin e Durrësit. Unë u bëj thirrje autoriteteve që të mblidhen dhe të marrin një plan masash në nivel pak më afatshkurtër për t’i dhënë zgjidhje situatës dhe të krijojnë një strategji afatgjatë për këtë punë”, tha Indrit Hamiti, kryetar i këshillit bashkiak.
Ish-Këneta në Durrës është një zonë e populluar në dhjetëvjeçarin e fundit me banorë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, ndërsa popullsia e saj shkon në rreth 50 mijë banorë.