Partia më e re italiane i ka zyrat më së shumti në internet
Një lëvizje popullore është fuqizuar, duke i bërë sfidë serioze establishmentit të politikës italiane dhe i ka zgjedhur kandidatët e saj që do të garojnë për në parlament në mënyrë të paprecedentë përmes një votimi në internet.
Lëvizja “Pesë Yjet” i kreu zgjedhjet e veta duke votuar mbi 1400 aktivistë përmes lidhjes së vet të internetit. Secili prej kandidatëve postoi një video fushate ku prezantuan veten. Ata thanë se çfarë ishin dhe çfarë do të bënin në rast se zgjidheshin në zgjedhjet e pranverës.
Besohet se kjo është hera e parë që një organizatë politike kryen këtë proces selektimi krejtësisht në internet, raporton BBC. Figura kryesore pas lëvizjes, është komediani i kthyer në aktivist politik, Beppe Grillo. Ai mori shumicën nga 95 mijë votat e hedhura në internet.
“Nuk ka asnjë parti në botë që voton përmes internetit, me kosto zero. Ne e bëmë dhe nuk shpenzuam as një euro”, tha ai. Grillo vërejti se në internet votuan më shumë gra se sa burra. Ai iu gëzua faktit se shumë njerëz të zakonshëm, nga punëtorët te shtëpiaket dhe te të papunët, patën rastin të konkurronin në mënyrën më demokratike të mundshme, pa shpenzuar para, për të fituar postin e kandidatit për deputet të kësaj partie.
Lëvizja e Grillo-s nisi në fakt si një blog proteste e përzier me komedi në internet. Ajo ka bashkuar një masë qytetarësh të zemëruar për atë që e konsiderojnë si klasa politike tradicionale e korruptuar e vendit. Kjo parti po arrin suksese, së paku në sondazhe, ku renditet e dyta me 20 për qind të votave.
Në rast se pëlqimi aktual përkthehet në vota, atëherë kjo do të jetë partia e dytë më e madhe e opozitës në Parlamentin e ardhshëm.
Ndërsa lëvizja e aktivistëve të internetit është rritur, ajo ka filluar të kritikohet nga establishmenti aktual politik. Beppe Grillo shpesh akuzohet si një politikan populist, i cili në mënyrë konstante kritikon aktualitetin pa pasur një vizion të qartë se si mund të bëhet më mirë. Dhe duket se Grillo nuk ka shumë durim në rastet e debateve brenda partisë së vet. Verën e kaluar, një debat i tillë u regjistrua dhe disa aktivistë të lëvizjes u ankuan për tendencat autoritariste të Grillos.
Aktualisht lëvizja qeveris qytetin e Parmës, qyteti më i madh nën kontrollin e tyre. Këshilltarët patën garuar nën premtimin se nuk do të lejojnë zhvillimin e një biznesi ndotës në dyert e qytetit. Por tani që kanë marrë kontrollin, është bërë e qartë se projekti nuk mund të ndalohet në këtë fazë, për shkak të kontratave sakaq të firmosura.