Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e opozitës, Edi Rama si shkaktarin e bllokimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Përpara nisjes së mbledhjes së qeverisë, kreu i ekzekutivit deklaroi se kreu i PS-së, Edi Rama realizoi një qëllim ogurzi, por nuk ja doli që KE të pranonte kërkesën e tij për të caktuar zgjedhjet si kusht.


“Rama në mënyrë të përsëritur publikisht e privatisht u deklaroi mbështetësve të tij se statusi do kushtëzohet me zgjedhje dhe kjo nuk ndodhi. KE kur rekomandoi statusin, deklaroi se zgjedhjet do jenë kusht për hapjen e negociatave dhe jo statusin. Rama u thoshte prisni se do dalë deklarata që do kushtëzojë statusin, deklarata doli, por në mënyrë që shqiptarët të mos e lexojnë sipas Ramës, të dy përfaqësuesit më të lartë u shprehën që Këshilli vendosi që KE të informojë këshillin sapo të votohen tre ligjet, që Rama i bllokoi. Ai beson se murin që u ngriti shqiptarëve me mosvotimin e 3 ligjeve, do mund ta fshehë dhe maskojë duke u servirur atyre kërkesa për hapjen e negociatave në vend të kërkesave për marrjen e statusit. Në këtë veprimtari të koordinuar bllokuese të tij, z. Rama, në mënyrë të përsëritur publikisht dhe privatisht u deklaroi shtetasve të tij se statusi do kushtëzohet me zgjedhje dhe kjo ndodhi. Kjo nuk ndodhi, jo sepse zgjedhjet nuk janë një proces i një rëndësie jetike, por sepse komisioni evropian kur rekomandoi statusin si institucioni që ndjek më afër dhe me hollësi çdo zhvillim, nuk pranoi kërkesën e z. Rama për të futur zgjidhje si kusht për statusin”, tha Berisha.


Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë e ndali edhe njëherë vëmendjen tek çështja kombëtare dhe deklaroi se vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptarëve që nuk jetojnë në Republikën e Shqipërisë, nuk po bëhet për qëllime elektorale. Kreu i ekzekutivit deklaroi se ky ligj do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit 2013.


“Kjo shtetësi për kriterin ekonomik do jepet për ata që investojnë 200 mijë dollarë dhe këtë e faktojnë nga organi tatimor. E ka Hungaria, Bullgari, Mali i Zi dhe vendet e zhvilluara. Por ka një problem dhe kjo është Republika e Kosovës pasi kemi të bëjmë me një shtet konsolidimi i pavarësisë së të cilës është interesi jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të pyetësorit për marrjen e vizave kështu që kjo kërkon një ulje së bashku me ta për të përcaktuar modalitetet dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi. Të gjithë ata që plotësojnë kushtet do të marrin shtetësinë shqiptare. Dhënia e shtetësisë nuk është përpjekje elektorale, është një praktikë e ndjekur nga vende të ndryshme”, tha ai. Berisha ka siguruar më tej se Shqipëria është një vend që nuk ka pretendime, territoriale, ndaj fqinjët duhet të heqin dorë nga albanofobia.


“Vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Por askush nuk mund ta mohojë që kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete. Ai që e mohon këtë fakt nuk i kontribuon aspak stabilitetit. Albanofobia është problem serioz. Unë uroj që të fqinjët të çlirohen nga kjo, ftoj në interesin më të mirë të tyre të kapërcejnë dasitë shekullore të vendosura në mënyrë të padrejtë ndaj shqiptarëve”,- tha ai.


12 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)