Këshilli bashkiak, caktohet mbledhja e fundit më 24 dhjetor

Shqyrtohet buxheti dhe plani urbanistik. Në janar nis shqyrtimi dhe dhënia e lejeve të ndërtimit

Lorina Mixha

Këshilli bashkiak i qytetit të Tiranës do të mblidhet një ditë para Krishtlindjeve më datë 24 dhjetor. Janë njoftuar të gjithë anëtarët e këshillit, si dhe janë dërguar në adresat e tyre materialet për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Kryesisht epiqendra e diskutimeve në këtë mbledhje do të jetë për buxhetin e qytetit të Tiranës në vitin 2013, si dhe plani urbanistik i qytetit. Deri tani kreu i bashkisë, së bashku me ekspertët e pushtetit vendor kanë bërë prezantimin e buxhetit, parashikimet, investimet për çdo njësi vendore, duke paraqitur planin edhe para qytetarëve.

Para datës 24 dhjetor, prezantimi dhe shqyrtimi i buxhetit për çdo njësi do të ketë përfunduar po ashtu edhe një takim me të gjitha grupet e interesit, si përmbyllje e diskutimeve të planit urbanistik. Më pas të dyja këto projekte të mëdha do të diskutohet në mbledhjen e këshillit bashkiak që këtë herë nuk do të jetë pasdite, por është parashikuar në orën 10:00.

Pas aprovimit të planit urbanistik në mbledhjen e këshillit bashkiak, që do të jetë edhe takimi i fundit i anëtarëve të parlamentit vendor, projekti i plotë do të dërgohet për miratim në Këshillin e Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë për t’i hapur rrugën nisjes së shqyrtimit të lejeve të ndërtimit, proces ky i ngrirë këto dy vitet e fundit.

Pas ndryshimit të ligjit dhe shkrirjes së Këshillit të Rregullim Territorit për qytetin e Tiranës, lejet e ndërtimit shqyrtohen në bashki nga drejtoria e urbanistikës, dhe më pas miratimin përfundimtar të tyre e jep kreu i Bashkisë së Tiranës duke hedhur në dokumente aprovimin e tij nëpërmjet firmës personale.

 

Fill pas kalimit të planit për miratim në këshillin bashkiak me shumicë votash, masterplani do të kalojë për miratim në KRRTRRSH, Këshillin Rregullues të Republikës së Shqipërisë.

Në muajin janar pritet të jepen edhe lejet e para të ndërtimit, proces prej kohësh i paralizuar.

“Pas miratimit në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak do të kalohet për miratim në KRRTRSH. Në janar nis shqyrtimi i dhënies së lejeve të ndërtimit sipas rregullave të reja dhe afateve tanimë të miratuara. Do të konsiderohen si primare në aprovimin e lejeve të ndërtimit, 30 për qind e zonave të formuara”, ka deklaruar zyrtarisht bashkia e kryeqytetit.

Mbledhja e fundit e muajit dhjetor do të jetë ndër më të rëndësishmet, ku do të diskutohen paratë dhe ndarja e tyre për shërbimet e qytetit, arsimit, shëndetësisë e të gjitha fushave të tjera të investimit, që parashikon administrimi i pushtetit vendor.

Pjesë e ndryshimeve procedurale është edhe tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime në vlerën 1% të vlerës së investimit, e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Kjo vlerë prej 1% është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit “Për Urbanistikën”.

Autor te 12 Dhjetor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry