Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takimi që ka zhvilluar me disa tregtarë fruta-perimesh dhe prodhues në Lushnjë është angazhuar për zgjidhje të shpejtë të asaj që e ka cilësuar situatë dramatike në të cilën është zhytur bujqësia shqiptare.
Ai u ka prezantuar atyre një plan emergjent me 5 pika për Rilindjen e fshatit, që janë dhe pika të Programit për një Rilindje Shqiptare. “Ne duam që e para ta pesëfishojmë financimin për bujqësinë. E dyta, ta garantojmë ujitjen, sepse aty fillon problemi. Mungesa e sistemit të ujitjes dhe të kullimit është problem.
E treta, naftën me patjetër të heqim akcizën, të heqim taksën e qarkullimit. E katërta, ta heqim TVSH-në e plehrave, ta reduktojmë TVSH-në e farërave. Dhe e pesta, të garantojmë tregun po ta rajonalizojmë prodhimin, se ndryshe nuk bëhet”, ka thënë Rama. Për kreun e opozitës kjo qeveri po e lë më keq se ç’e gjeti fshatin shqiptar.
12 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)