Financat heqin paratë shtesë për performancën në punë. Festa me kolegët? Secili me paratë e tij


Lorina Mixha


Të dhënat statistikore raportojnë se në dhjetëmujorin e fundit të vitit rezultojnë të jenë 150 milionë lekë më pak të ardhura.


Plani që ishte parashikuar të përmbushej për vitin 2012 nuk është realizuar, ndërsa çdo sektor raporton deficite, borxhe të akumuluara dhe pagesa të prapambetura.


Në mes të muajit dhjetor, fare pak ditë nga mbyllja e veprimeve përfundimtare të Thesarit të shtetit për kalime pagesash e parash, buxhetorët i ka kapur ankthi. Deri tani nuk ka asnjë vendim për marrjen e shpërblimit të fundvitit. “Të gjitha veprimet në Thesar dhe çdo hesap me sektorët mbyllet përfundimisht më datë 17 dhjetor. Pas kësaj date nuk bëhet asnjë pagesë, përveç se në rastet kur kreu i Financave miraton një urdhër ose udhëzim”, sqarojnë ekspertët e financës.


Sipas tyre, Thesari deri në datën 10 i ka mbyllur të gjitha pagesat për shpenzimet dhe investimet, ndërkohë që deri në datën 17 është i hapur për të realizuar të gjitha pagesat për paga, shpërblime, pensione e ndihma ekonomike.


Data 16 dhe 17 rezulton të jenë pushim zyrtar, pasi është e shtunë dhe e diel.


Afatet


Ndërkohë Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar dje asnjë vendim për shpërblime të fundvitit për buxhetorë.


Po ashtu nuk ka pasur as vendim qarkullues, që hyn menjëherë në fuqi, për fond të posaçëm për pagën e 13, njohur ndryshe si gjeli i Vitit të Ri.


Në rast se Ministria e Financave do të marrë një vendim për të shpërblyer punonjësit e arsimit, punonjësit e shëndetësisë dhe të gjithë buxhetorët, atëherë gjithçka do të bëhet me udhëzim të posaçëm të ministrit Ridvan Bode ose Këshillit të Ministrave për të hapur veprimet me Thesarin.


Dy vitet e fundit nuk kanë marrë shpërblim pensionistët në të gjithë vendin. Një vit më parë qeveria ka dhënë shpërblime për buxhetorët, po ashtu kanë marrë rrogën e 13 edhe punonjësit e qeverisë vendore.


Mjekët e qendrave shëndetësore e poliklinikave kanë përfituar nga një rrogë shtesë, për shkak të të ardhurave dytësore të akumuluara nga institucionet. Institucione të veçanta si AKEP apo struktura që kanë hapësira dhe të ardhura mund të vendosin vetë për shpërblimet, ndërkohë që buxhetorët rrezikojnë këtë vit të marrin shpërblimin e fundvitit, sepse gati kanë “skaduar” të gjitha afatet për miratimin e një vendimi të tillë.


Po ashtu, Ministria e Financave ka vendosur që nuk do të japë asnjë lek për organizimin e festave të fundvitit nga institucionet, apo për dhënien e shpërblimeve në formën e pagesave nga arka e “fondit të veçantë”.


Vendimi


Për këtë vit përjashtohen nga shpërblimi punonjësit me performancë të shkëlqyer. Po ashtu nuk parashikohen para për të festuar mes kolegësh festat e fundvitit apo për organizimin e fëmijëve të punonjësve për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.


“Përjashtimisht për vitin 2012, fondi i veçantë nuk përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë, shpërblime të tjera, të parashikuara me akte të tjera ligjore apo nënligjore; dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe për raste të tjera, si edhe për veprimtari social-kulturore”, thuhet në vendimin e Financave.


Sakaq, edhe për këtë vit do të përjashtohen nga lista e shpërblimeve pensionistët në shkallë vendi. Kriza e arkës së shtetit këtë vit zgjerohet edhe në sektorë të tjerë, përveç pagesave të moshës së tretë.


 


Të dhëna


Thesari – Veprimet në Thesar për investimet dhe shpenzimet janë mbyllur në datën 10 dhjetor, ndërkohë që “operacionet” për pagesat, pensionet dhe ndihmën ekonomike mbyllen më datë 17 dhjetor


Qeveria – Këshilli i Ministrave dje nuk ka miratuar asnjë vendim dhe nuk ka aprovuar asnjë udhëzim qarkullues për shpërblimin e buxhetorëve me rastin e festave të fundvitit si pagë e 13


Fondi – Një “qese” e veçantë që parashikon dhënien e parave për raste specifike nuk do të përdoret as për financime për aktivitete kulturore dhe as për dhënie ndihmash