Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ndezi dritat e pemës së Vitit të Ri, duke i uruar çdo familjeje kryeqytetase dhe shqiptare ditë sa më të lumtura festash. Ceremonia e ndezjes së dritave, pasditen e së enjtes, u realizua në sheshin “Skënderbej”, ku është vendosur edhe një pemë 22 metra e lartë.


“Ndezja e pemës sjell gëzim në çdo familje. Për këtë arsye, jo vetëm kjo pemë, por e gjithë Tirana është stolisur për t’i zbukuruar sa më shumë këto ditë festash për çdo qytetar”, deklaroi Basha, përpara disa dhjetëra qytetarëve të pranishëm.


Ndezja e dritave në pemën e Vitit të Ri nga ana e kryebashkiakut Basha, përkon me një moment në të cilin, një pjesë e mirë e Tiranës ka mbetur prej më shumë se 24 orësh pa energji elektrike.


Gjatë punimeve në Laprakë, një kompani e kontraktuar nga Bashkia këputi gabimisht një kabllo kryesor të shpërndarjes së energjisë në disa lagje të kryeqytetit dhe CEZ ka refuzuar që të kryejë riparimet, pa u kompensuar më parë për dëmin nga Bashkia.

13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)