Paaftësia e Financave me vendosjen e planeve të sakta, 150 milionë USD shkurtime


Rishikimet e fundit shkaktojnë rritje të deficitit buxhetor me afro 7 miliardë lekë


Borxhi – Ndryshimet e miratuara dje e çojnë buxhetin e shtetit në nivelin e 61% të PBB-së, kurse vitin tjetër parashikohet të arrijë në 62.6%, direkt pas heqjes së kufirit ligjor prej 60%


ARD KOLA


Bode & BerishaKriza ekonomike detyron Kryeministrin Berisha të firmosë shkurtimet në buxhetin 2012 të propozuara nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Qeveria miratoi dje reduktimin me rreth 16 miliardë lekë (150 milionë dollarë), në raport me planin e vendosur të fillimvitit.


Shkurtimet vijnë në një kohë kur të ardhurat në arkën e shtetit parashikohen të jenë afro 20 miliardë lekë më pak se plani, deri në fund të këtij viti. Ky dështim reflekton paaftësinë e ministrit dhe zyrtarëve të tij në vendosjen e planeve reale për realizimin e të ardhurave, duke sjellë kështu shkurtime masive në buxhet. Për shkak të krizës tek arkëtimet, edhe kontributet në skemën e pensioneve do të japin afro 1 miliard lekë më pak.


Sipas vendimit të miratuar dje, të ardhurat në total deri në fund të këtij viti do të jenë 333 miliardë lekë, nga 356 miliardë lekë, pra mbi 20 miliardë deficit në arkën e shtetit, si pasojë e krizës që qeveria ende nuk pranon se ekziston, por që në fakt po gërryen sektorët kryesorë në vend.


Si pasojë e rishikimit të ardhurave, qeveria është e detyruar të ulë shpenzimet në buxhet, me afro 16 miliardë lekë, kurse investimet reduktohen me 5 miliardë lekë. Në fakt, këto janë masa të marra prej kohësh, pra manovra e kursimeve kishte nisur të aplikohej para disa muajsh, por ministri i Financave po e ligjëron këto ditë me aktin e firmosur së fundmi nga Kryeministri. Si rrjedhim, deficiti buxhetor shkon në 48.3 miliardë lekë, me rritje 7 miliardë lekë, duke rrezikuar më tej borxhin publik, i cili sakaq ka arritur në 61 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).


Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është 48 368 milionë lekë, nga i cili 900 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja totale për financimin e deficitit prej 47 468 milionë lekësh nuk ndryshon. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.


Në nenin 13 të ligjit të buxhetit, ndryshuar dje, qeveria vendos një fond rezervë prej 1.8 miliardë lekësh, i cili përdoret për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Në jo pak raste ministri i Financave është shprehur se buxhetin e shtetit do ta ndryshojë edhe “10 herë” në rast se do ta lypë nevoja.


 


Buxheti për vitin 2012


Ishte


Të ardhurat     355 759


Shpenzimet 396 922


Investimet 69 763


Deficiti   41 163


 


Bëhet


Të ardhurat     332 758


Shpenzimet 381 126


Investimet 64 690


Deficiti   48 368


Burimi: MF, milionë lekë