Zyrtare
Nesër do të diskutohet mbi modalitetet për miqësoret ndërkombëtare të Kosovës
Tashmë është zyrtare. Kosova do të jetë një nga temat që do të diskutohet në takimin e paralajmëruar të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që do të mbahet të premten (14 dhjetor) në Tokio, Japoni. Prania e Kosovës në axhendë është garantuar nga njoftimi i shpërndarë prej Jerome Valcke, sekretar i përgjithshëm i organit më të lartë të futbollit në botë. Po ashtu, burimet e FIFA-s kanë njoftuar agjencinë shqiptare “Presheva Jonë”, se në pikën e 18 mbi çështjen politike të sportit (Sport political Matters) do të debatohet mbi modalitetet e zbatimit të vendimeve për Kosovën (Modalities of implementation of the decision on Kosovo). Gjatë bisedës së fundit të presidentit të FIFA-s me përfaqësuesin e agjencisë informative “Presheva jonë” në Gjenevë, e cila i ka kërkuar shpjegim se mos po teprohet me këto shtyrje të vendimit, presidenti i FIFA-s, Sep Blater, kishte deklaruar se “kjo është e treta e vërteta… Jo, jo, nuk e kemi ndërmend ta shtyjmë më, ju japim fjalën, ndryshe Fadil Vokrri na nxjerr telashe. Faleminderit për durimin. Pra mirupafshim në Tokio me të reja për Kosovën dhe shpresoj se së shpejti do të vizitoj Prishtinën”. Po ashtu, nga FIFA mësohet se ndër temat kryesore për diskutim, përveç Kosovës, Komiteti Ekzekutiv do të debatojë për konfederatat e FIFA-s mbi Botërorin 2017 dhe gjithashtu do të miratojë vendime mbi gjysmëfinalet dhe finales së vitit 2018 në lidhje me botërorin në Rusi. Pas konferencës në fjalë mbledhja do të mbahet në orën 11:00, më 15 dhjetor në shtëpinë e “JFA”-sw në Tokio. Konferenca e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s mbahet më 20-21 mars në Cyrih të Zvicrës.
Sep Blater
“Ju japim fjalën që nuk do ta shtyjmë, ndryshe Fadil Vokrri na nxjerr telashe. Faleminderit për durimin. Pra, mirupafshim në Tokio me të reja për Kosovën dhe shpresoj se së shpejti do të vizitoj Prishtinën”