Raketa është në gjendje të hedhë një bombë atomike kudo në rajon
Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të gjatë veprimi dje në mëngjes që arriti të shkojë deri në Filipine, një sukses i dukshëm për udhëheqësin e ri dhe të patestuar të vendit Kim Jong-un dhe një hap drejt qëllimit të vendit komunist për të zotëruar teknologjinë për të lëshuar raketa balistike.
Kim Jong-un tregoi muajin e kaluar përmes një parade të madhe se dëshiron të shihet si një udhëheqës i adhuruar në shtëpi dhe që shkakton frikë jashtë vendit. Komanda Aerospaciale e Mbrojtjes së Amerikës së Veriut, njoftoi se ka dalluar lëshimin dhe e ka gjurmuar raketën me tri faza, e njohur si Unha-2. Faza e parë e raketës u shkëput dhe u rrëzua në Detin e Verdhë, ndërsa faza e dytë ra në Detin e Filipineve.
“Të dhënat e para tregojnë se raketa vendosi një objekt që arriti në orbitën e tokës”, njoftuan amerikanët. “Në asnjë moment raketa apo mbetjet e saj nuk ishin kërcënim për Amerikën e Veriut”.
Por koha e lëshimit duket se i ka zënë zyrtarët amerikanë në befasi. Vetëm një apo dy orë para lëshimit, zyrtarët amerikanë dhe japonezë që ishin në një pritje festive në rezidencën e ambasadorit japonez në Uashington, thanë se besonin se Koreja e Veriut kishte hasur probleme teknike që do të kërkonin shumë javë që të riparoheshin.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut njoftoi se raketa ka arritur të lëshojë në hapësirë një satelit dhe se kjo gjë po festohej në vend.
Megjithëse lëshimi duket se është menduar si pjesë e politikës së brendshme, analistët mendojnë se ky hap do të sjellë një ndryshim rrënjësor në politikën e vendeve fqinje me Korenë, përfshirë Uashingtonin dhe Pekinin, të cilët do të duhet të mendojnë për ndonjë mënyrë të re për trajtimin e ambicieve bërthamore dhe raketore të vendit të varfër komunist.
Për Presidentin Obama, lëshimi e vështirëson edhe më shumë situatën. Gjatë katër viteve të fundit, Koresë u janë premtuar më shumë ndihma në këmbim të pezullimit të zhvillimit të armëve, pastaj i janë vendosur më shumë sanksione, por asnjëra prej metodave duket se nuk po funksionon.
Një rezolutë e OKB-së e vitit 2009, ndaloi vendin komunist nga e drejta për testimin e raketave balistike pasi ky vend kreu testin e vet të dytë bërthamor. SHBA-ja e konsideroi lëshimin një “akt tepër provokativ që kërcënon sigurinë rajonale”, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se ishte një “dhunim i hapur” i Rezolutës së OKB-së.
Koreja e Veriut udhëhiqet aktualisht nga Kim, i cili ka vetëm një vit në zyrë. Ai drejton një vend shumë sekret dhe nuk disponohen shumë informacione se çfarë po ndodh atje, por së fundmi ka të dhëna se ka arritur të kryejë një spastrim nga radhët e ushtrisë. Koreja e Veriut, pavarësisht se është një vend i varfër, ka arritur të zhvillojë një teknologji raketash, të cilën ia ka shitur edhe vendeve të tjera si Irani apo Pakistani. Koreja disponon bombën atomike, por ekspertët thonë se nuk ka dizajnin e nevojshëm të bombës për ta hedhur atë me raketë dhe se raketat e saj gjithsesi nuk janë në gjendje të shkojnë shumë larg apo me saktësi të mjaftueshme.