Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mbështeti të zgjedhurit vendorë të LSI-së, të cilët kërkojnë me anë të një rezolute, që përfaqësuesit e saj në qeverisje të ndërhyjnë për thellimin e reformës që e bën pushtetin lokal më autonom nga pikëpamja financiare. 


Disa nga kërkesat e të zgjedhurve vendore të LSI-së, që zoti Meta i mbështeti janë heqja e barrierave ligjore për vendosjen dhe mbledhjen e taksave dhe tarifave lokale apo lejimi i marrjes se kredive nga bashkitë apo komunat për të përballuar punët publike. Kreu i LSI-së u tregua kritik për ndërhyrje të herëpashershme nga qeveria qendrore që cenojnë autonominë lokale, si dhe shprehu publikisht pakënaqësinë që, sipas tij, projektbuxheti i vitit 2013 është diskriminues për Qarkun e Beratit. Kur foli për këtë çështje dhe përmendi disa segmente rrugore, zoti Meta nuk hezitoi të përfshihej shkurt edhe në debatin për heqjen e një mandati për deputet në qarkun e Beratit.


“Qarku i Beratit pakësohet me një deputet, që për mendimin tim nuk është shumë bindes, por ky nuk është shqetësimi ynë, sepse ne e kemi deputetin të sigurt. Por, njëkohësisht, ajo që më shqetëson është një planifikim pothuajse zero për akset kryesore të zhvillimit të qarkut, rikonstruksionin e rrugës Lushnje-Berat, që është në një gjendje të tmerrshme”, tha Meta.


13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)