Fier


49-vjeçarja Ahsinja Krytha u qëllua pranë pallatit ku banonte



Motra e Arjan Kokvelajt, i njohur për disa biznese të vogla në Fier dhe i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik femrash, është gjetur mbrëmë e vrarë në rrugicën pranë shtëpisë së saj. Nëna e dy fëmijëve, e divorcuar, është masakruar me thikë nga persona të paidentifikuar, teksa kthehej për në banesë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Kryengritja” në qytetin e Fierit. Ndërkaq, ende nuk është arritur të identifikohet autori i ngjarjes, ndonëse po hetohet në disa pista.


Ngjarja


Policia e Fierit tha se nëna e dy fëmijëve, 49-vjeçarja Ahsinja Krytha ka qenë duke kaluar në një zonë jo shumë të populluar, pranë një lokali në afërsi të QTU-së në qytetin e Fierit. Ka qenë ora 19:30 e mbrëmjes së djeshme, kur ajo është ndodhur në një rrugicë të krijuar për shkak të pozicionit të një pallati dhe një lokali, kur është qëlluar me armë të ftohtë prerëse. Sipas burimeve të policisë, ajo është qëlluar me thikë nga një person që nuk është arritur të identifikohej deri në orët e vona të mbrëmjes. Pas plagosjes, ajo është gjetur para portës së një vile trekatëshe pranë rrethrrotullimit në vendin e quajtur “Rrepet”. Kalimtarë të rastit, të cilët e kanë parë të plagosur, e kanë transportuar për në spital, ku i është dhënë ndihma e parë. Por, gjysmë ore pasi ka mbërritur në sallën e reaminacionit të urgjencës, 49-vjeçarja Krytha (Kokvelaj) ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda të marra në organe jetësore si pasojë e goditjes me thikë, si edhe gjakrrjedhjes.


Hetimi


Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë kriminale që kanë marrë dëshmitë e personave që e kanë shoqëruar për në spital. Nga burimet mësohet se për shkak të errësirës dhe vendit të ngjarjes jo të ndriçuar mirë, nuk është arritur ende të ketë një të dhënë përfundimtare për identitetin e 49-vjeçares Krytha. Ndërkaq, mësohet se nëna e dy fëmijëve ishte divorcuar me ish-bashkëshortin e saj para disa kohësh. Burimet e policisë pohojnë se nuk është konkluduar ende në një pistë zyrtare për sa i përket motivit të vrasjes së nënës së dy fëmijëve dhe autorësisë. Ndërkaq, burimet shtojnë se janë duke hetuar në disa pista, si ajo e një grabitje të mundshme, e ndonjë konflikti që mund të ketë pasur 49-vjeçarja, apo familjarët e saj. Një nga pistat e këtij krimi ka të bëjë me ndonjë grabitje të mundshme, por po shikohet nëse asaj i është marrë gjë në momentin e vrasjes.


Motra e Kokvelajt


Gjithashtu, nga verifikimi ka rezultuar se ajo është motra e Arjan Kokvelajt, emri i të cilit është i njohur për policinë e Fierit. Ai është evidentuar më parë si një person me precedentë penalë në fushën e trafikut të femrave dhe marrëdhënieve seksuale me dhunë. Madje, për trafik femrash për prostitucion, ai është shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Në shkurt të vitit 2012, ai u arrestua për llogari të italianëve, megjithëse u la i lirë, pasi dosja ishte e parregullt. Sipas dosjes italiane, Kolvelaj është dënuar me 15 vjet burg për veprën penale “shfrytëzim të prostitucionit” nga Gjykata e Apelit në Breshia. Ai është arrestuar edhe në tetorin e vitit 2009, pasi u dyshua për rrahjen e një gjyqtari, por që më vonë, çështja u pushua. Policia e Fierit tha mbrëmë se veç hetimeve për grabitje të mundshme, por hetohet edhe ndonjë hakmarrje e mundshme ndaj vëllait të saj, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe pista të tjera të hetimit. Grupi hetimor tha se do të kontaktojë edhe me ish-bashkëshortin e viktimës në lidhje me krimin e rëndë, që tronditi qytetin e Fierit. Ble. Gi.