Koncesioni
Pas koncesioneve të shumëpërfolura të pullave fiskale dhe lotarisë kombëtare, qeveria po përgatitet të transferojë një tjetër shërbim si monopol te privati. Këtë herë bëhet fjalë për kontrollin e cilësisë së karburanteve. “Top Channel” zotëron draftkontratën e hartuar nga Ministria e Financave, e cila zbulon të gjithë procedurat e ndjekura dhe kushtet financiare të koncesionit me vlerë rreth 15 milionë euro në vit. Që në fillim të saj, vetë Ministria e Financave pranon se procedura e ndjekur është ajo e koncesionit të pakërkuar nga shteti, që do të thotë se qeveria po e kthen këtë shërbim monopol privat pas kërkesës së vetë privatit. Emri i kompanisë kërkuese është “Global Fluids International”, një kompani austriake e listuar në bursën e Vjenës, pjesë e një grupi kanadez. Draftkontrata zbulon se dy vjet më parë kjo kompani i është drejtuar Ministrisë së Financave duke i kërkuar të marrë monopolin e kontrollit të karburanteve. Qeveria ka pranuar dhe në tetor të vitit të kaluar ka nxjerrë këtë vendim, i cili jo vetëm që e miraton procedurën, por i jep kompanisë në fjalë edhe një bonus prej 6 për qind të pikëve në tender për idenë e saj. Ndonëse ende nuk është bërë zyrtar, burime konfidenciale bëjnë të ditur se tenderi i zhvilluar është fituar nga një bashkim i tri kompanive, i drejtuar pikërisht prej “Global Fluids”. Por procedurat e ndjekura nuk janë pika e vetme e dyshimtë. Sipas draftkontratës, kompania do të përfitojë 6.5 euro për çdo ton karburant që qarkullon në Shqipëri. Kjo do të thotë se që nga momenti i hyrjes në fuqi të saj konsumatorët do të paguajnë rreth 15 milionë euro shtesë në vit përmes rritjes së çmimeve, për një shërbim që deri tani e ka kryer me kosto zero inspektorati teknik. Në shumicën e vendeve të Europës, markimi i karburanteve bëhet përmes kompanive private në treg të lirë, jo monopol.