Rezultatet e Censusit 2011 kanë sjellë reagimet e forcave të ndryshme politike në vend. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar sot se nuk i njeh rezultatet e tij. Sipas PBDNJ-së, rezultatet janë në disfavor të minoriteteve, ndërsa procesi i mbledhjes së të dhënave sipas tyre ishte jo transparent.


“Procesi i mbledhjes së të dhënave me shkelje të panumërta. Gjatë mbledhjes së tyre kishte veprime arbitrare, të dhënat janë të stisura. PBDNJ sqaron se shifrat e publikuara dhe zyrtarisht nga INSTAT ‘nuk pasqyrojnë realitetin në Shqipëri. Minoritetet do i drejtohen institucioneve të vendit. Censusi i ndërtuar mbi bazën e të dhënave provokuese, është i rrezikshëm, për rajonin dhe Evropën”, theksohet në deklaratën e PBDNJ-së.


Ndërkohë Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet përshëndeti rezultatet e Censusit 2011 duke theksuar se nxjerr edhe njëherë në pah se pretendimet greke në Shqipëri nuk kanë asnjë bazë reale. “PDIU shpreh kënaqësinë dhe krenarinë që amendimet e saj ia kanë prerë rrugën skenareve të Athinës dhe shërbëtorëve të saj në vendin tonë, për të sajuar të dhëna të rreme për pakicën etnike greke. Rezultati i censusit nxjerr edhe njëherë në pah se pretendimet greke në Shqipëri nuk kanë asnjë bazë reale por mbështeten thjesht në orekset shoviniste të frymëzuara nga Megali Idea. Amendamentet e PDIU-së parashikonin që çdo deklaratë për kombësinë duhej të ballafaqohej me regjistrin për gjendjen civile dhe që nëse dikush gënjente për kombësinë e tij, në pyetësor, jo vetëm që ai do të dënohej me gjobën 100 mijë lekë të reja, por INSTAT do të ishte i detyruar që të përfshinte në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile”, deklaroi sekretari Politik i PDIU, Adri Nurellari në një konferencë për mediat.


Për Censusin ka reaguar edhe Nikoll Lesi, kryetar i Lidhjes Demokristiane. Ai ka dal kundër pretendimeve të PBDNJ-së dhe OMONIA-s, se Censusi është provokim për minoritetin grek, ndërkohë që ka theksuar se renditja e shqiptarëve me besim katolik në vend të dytë është korrekt.


 


14 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)