BE krijon unionin bankar
Qeveritë Europiane arritën një sukses të madh dje, me një marrëveshje që i jep Bankës Qendrore Europiane fuqi të reja për të mbikëqyrur bankat, gjë që do të rrisë besimin te monedha e përbashkët tashmë që kriza po hyn në vitin e katërt, raporton “Reuters”.
Ministrat e Financave nënshkruan marrëveshjen për mbikëqyrjen e përbashkët pas bisedimeve maratonë që vijuan përgjatë të gjithë natës. Tashmë pritet që në takimin e tyre të ardhshëm, të diskutohet për mënyrat për bashkim më të fortë fiskal, gjë që do të zgjidhë një pjesë të defekteve që euro i pati që nga krijimi i saj një dekadë më parë.
“Ne kemi nevojë të shfrytëzojmë rastin, të mbajmë vendosmërinë, të ruajmë fokusin dhe ky është edhe mesazhi im për udhëheqësit”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.
Pas një viti të vështirë menaxhimi krizash, gjatë së cilit Greqia shkoi deri pranë daljes nga eurozona, blloku duket se po ecën drejt vitit 2013 me më shumë optimizëm. Në të njëjtën kohë që ministrat hodhën hapin drejt “bashkimit bankar”, ata firmosën edhe lëshimin e 50 miliardë eurove ndihmë për Greqinë, duke shmangur falimentin kaotik dhe rrezikun e daljes së Greqisë nga monedha e përbashkët.
BQE-ja do të ketë për detyrë tani të mbikëqyrë bilancet e rreth 200 bankave më të mëdha në eurozonë, gjë që do të shmangë rrezikun e largimit të kapitaleve nga borxhi i një vendi anëtar te borxhi i një vendi tjetër.