Udhëtim në Korenë e Veriut një vit pas ardhjes në pushtet të Kim Jong-un. Si ka ndryshuar kryeqyteti, që vazhdon të mbetet më i izoluari në botë
Grupet e turistëve gjermanë, kinezë apo amerikanë që mbushin sportelet e aeroportit ndërkombëtar të Sousanit nuk duhet të mashtrohen lehtë. Sigurisht që fotot e kujtimeve me ushtarët e kufitarit janë një imazh që deri pak kohë më parë do t’u kishin kushtuar shumë shtrenjtë vizitorëve. Por as atij normaliteti në dukje fshihet një vend i mbyllur hermetikisht ku fluksi i informacionit kalon nën censurë dhe rregulli mbetet gjithmonë i njëjtë: të evitohet që materiali antirevolucionar dhe kapitalist të qarkullojë në shtëpitë e popullit koreano-verior. Pyongyang ka vetëm një vit që drejtohet nga Kim Jong-u, lideri i ri dhe shenjat e para të ndryshimit politik dhe social në vendin më të izoluar në botë janë të dukshme. Edhe pse sfida e fundit ndaj botës, raketa e lëshuar vetëm dy ditë më parë, tregon se Koreja e Veriut mbetet ende një kërcënim serioz për Perëndimin. Pas 20 minutash me makinë, surpriza e parë janë grataçielat e xhamit që i japin hijeshi kryeqytetit. Shumë prej pallateve gri të “Moskës së Azisë” janë shembur, tregon me krenari njëri prej banorëve, dhe në vend të tyre përgjatë brigjeve të lumit Taedong, do të jetë qyteti i ri. “Dhe kjo ka ndodhur vetëm brenda 14 muajve”, tregon ai. Në rrugët e Pyongyang, taksitë janë akoma prodhim i vjetër sovjetik, por nuk mungojnë tipat “Toyota” dhe “Mercedes”, që vetëm pak kohë më parë ishin një tabu. Është shenjë e përmirësimit të cilësisë së jetesës në një vend sigurisht në krizë të rëndë, por që ngadalë po përpiqet të transformohet. Para shtëpisë së lindjes së KIm Il-sung, disa vajza të reja mbajnë në duar çanta firmë, sigurisht “false” Made in China, ndërsa disa miq të tyre bisedojnë në telefon. Shenja normaliteti për perëndimorët, por të paimagjinueshme për Pyongyang deri disa vjet më parë. Shumë pak veta mund t’ia lejonin vetes një darkë në restorant, ndërsa celularët, kompjuterët dhe aparatet fotografike ishin simbol i kapitalizmit të egër, armikut më të madh për të luftuar. Po ashtu, jo rrallë sheh fëmijë me bluzat e heronjve të “Walt Disneyt”, adoleshentë të veshur në stilet japoneze, pikërisht ashtu siç mund të jetë në Londër apo Nju Jork. Për çudi në një restorant të distriktit Chung-Guyok, prodhohet edhe pica, ndërsa disa metra më tutje dy lokale përpiqen të ofrojnë meny me ushqim italian: lazanjë dhe makarona të lloje të ndryshme. Edhe në stadiumin “1 Maji” spektaklet tradicionale të kërcimit që ngrinin në qiell forcat koreano-veriore të ushtrisë dhe garën nukleare kanë ndryshuar. Edhe televizioni shtetëror u përshtatet kohërave duke kufizuar përhapjen e filmave të zakonshëm të periudhës sovjetike, bardhezi me telenovela të prodhuara në studiot e filmit në Pyongyang: me subjekt histori dashurie mes punëtorit të thjeshtë dhe vajzës fshatare. “Agrikultura mund ta shpëtojë këtë vend”, tregon Friedrich Theodhor i “FAO”-s që kujdeset me projektet për të përmirësuar kushtet fiziomekanike dhe biologjike të terrenit. Dhe hapja e tregjeve të vogla private në lagje të ndryshme të kryeqytetit, tezga ku bujqit mund të shesin 30 për qind të prodhimit të tyre me çmime të vendosura nga shteti, konfirmojnë se si reforma të vogla, në një farë mënyre mund të përmirësojnë ekonominë e shkatërruar të këtij vendi. Pastaj është edhe lideri i ri, Kim Jong Un, një idhull për koreanoveriorët ashtu si gjyshi dhe babai i tij, që aty e shohin edhe si një njeri shumë të hapur ndaj Perëndimit. Megjithatë, ai ka një stil shumë të ndryshëm nga ish-pleqtë e familjes së tij: vizion apartamente, pi alkool në shenjë miqësie me popullin, shkon në koncerte dhe për më tepër premton se do lejojë që edhe interneti të vijë shumë shpejt në këtë vend. Me kufizime të mëdha, dhe vetëm në kompjuterët e disa universiteteve prej disa kohësh studentët mund të kenë akses në ueb për të bërë kërkime për qëllime studimi. Por edhe kjo është shenjë e një ndryshimi të vogël. Shenja, detaje të vogla që ndoshta do të bëjnë diferencën. Ashtu si kafeneja vjeneze e hapur në sheshin “Kim il Sung”, pas kullës Juche. Hapja e një lokali të ri nuk përbën aspak lajm, por këtu në Pyongyang po. Tregon për një ekonomi që do të hapet me botën. Gjithsesi, era e ndryshimit këtu në Korenë e Veriut do të duhet të fryjë për një kohë shumë të gjatë.