Akuzat


Vasili: Mbështes shqetësimin e kryetarit: Berati është lënë pas dore


Deputeti – I zgjedhuri i LSI-së për Qarkun Berat, Nasip Naço, deklaroi pak ditë më parë se ai do të votojë kundër projektbuxhetit të vitit 2013, pasi ai nuk kujdesej për përmirësimin e infrastrukturës në këtë qark


Tri problemet – Kreu i LSI-së ka akuzuar qeverinë se i ka hequr një mandat Beratit, nuk po financon në infrastrukturën rrugore të qytetit dhe gjithashtu ka probleme në dhënien e fondeve për pushtetin vendor, i cili, sipas Metës, ka probleme me punët publike


Fatjona Mejdini


Ilir Meta shpërthen për herë të parë në akuza të forta ndaj qeverisë, së cilës i është bashkuar më shumë se tre vjet më parë në një aleancë 20 për qind të pushtetit qendror dhe atij vendor. Në një konferencë të organizuar në kryeqytet, kreu i LSI-së ka shënjestruar qeverinë për tri çështje kryesore: heqjen e mandatit të deputetit të Beratit, heqjen e financimeve për Beratin dhe mungesën e fondeve për pushtetin vendor. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kritikoi dje ashpër disa aspekte të qeverisjes në një konferencë që zhvilloi në Tiranë me të zgjedhurit vendorë të kësaj partie nga i gjithë vendi. Meta nuk ngurroi të theksojë se qeveria shqiptare nuk po tregonte kujdesin e duhur ndaj procesit të decentralizimit, duke e lënë në mëshirë të fatit pushtetin vendor. Pjesën më të madhe të kritikave, Meta e përqendroi te mungesa e financimeve të buxhetit për Qarkun e Beratit, një qark ky ku LSI gjithmonë ka qenë e përfaqësuar me deputetë. Sipas Metës, pavarësisht se ai personalisht nuk e shikon të udhës që këtij qarku t’i hiqet një deputet, përsëri mendon se problemi i madh me të cilën kjo zonë po haset sot, është mungesa e infrastrukturës. Qëndrimin e Metës e mbështeti dje dhe nënkryetari i LSI-së, njëkohësisht nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili në një prononcim për “Shqip”. Sipas Vasilit, Meta kishte bërë gjënë e duhur duke kritikuar qeverinë për investimet në Qarkun e Beratit, pasi realisht kjo zonë nuk kishte marrë vëmendjen që i takon gjatë mandatit të demokratëve në qeverisje. Më herët, shqetësimin për këtë qark e ka shprehur deputeti i LSI-së për Beratin, Nasip Naço i cili theksoi se ai nuk do ta votojë buxhetin e vitit të ardhshëm, pasi zona që përfaqëson nuk kishte marrë mbështetjen e duhur prej tij.


Berati


I lidhur në mënyrë të ngushtë me Qarkun e Beratit, i cili i ka dhënë LSI-së gjithmonë një mandat deputeti, Ilir Meta theksoi dje para të zgjedhurve vendorë, se qeveria nuk ka marrë as masat më të vogla për të përmirësuar infrastrukturën në këtë zonë, duke i lënë rrugët në gjendje tepër të keqe. “Ajo që na shqetëson ne është se planifikimi është thuajse zero për akset kryesore të zhvillimit të këtij qarku. Është rikonstruksioni i rrugës Lushnjë-Berat, që është në gjendje të tmerrshme dhe kjo nuk është propagandë, është e vërtetë. Është mospërfundimi, edhe pse ka 10 vite që ka nisur, vetëm për 2 kilometra të rrugës Berat-Çorovodë. Është mosfinancimi i duhur i rrugës së re Lushnjë-Berat”, deklaroi ashpër Meta. Sipas tij, qytetarët janë të zhgënjyer, sepse shohin vepra të mëdha që bëhen në vend, por jo në zonën e tyre. I pyetur për këtë çështje, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deklaroi për “Shqip” se ai i mbështet qëndrimet e Metës për këtë zonë, pasi ajo ka rëndësi të veçantë elektorale për LSI-në, është një nga zonat turistike në të gjithë vendin. “Meta nuk bëri gjë tjetër, veçse mbështeti deputetin e Beratit, Nasip Naçon për kërkesat e tij ndaj zonës. Me këtë qëndrim jam dakord dhe unë, sepse Qarku i Beratit është shqetësues për infrastrukturën dhe kjo ndikon ndjeshëm dhe në turizëm, sepse ai është një nga qytetet turistike të Shqipërisë”, theksoi Vasili.


Qeverisja


Ilir Meta u shpreh dje i pakënaqur dhe me masat e qeverisë “Berisha” për procesin e decentralizimit. Ai la të kuptohej se situata ishte kthyer në kaotike kur tha se “ligji është shumë i rëndësishëm dhe duhet zbatuar dhe për LSI-në është tërësisht e papranueshme që një të drejtë që ta jep ligji, ta heq ministri, ta heq kryeministri, ta heq qeveria apo kushdo tjetër”.


 


Punësimi


Ilir Meta kërkoi dje që të zgjedhurit vendorë në bashkëpunim me deputetët e zonës të punojnë më shumë për t’ju siguruar qytetarëve vende pune


 


 


Nënkryetari i grupit të PS-së


Braçe: Ilir, ik sa më shpejt nga qeveria


Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi dje se kontributi që Ilir Meta mund të japë për Beratin është dalja nga koalicioni “Berisha”. Sipas Braçes, nuk është normale që Meta të mos reagojë për heqjen e një mandati për këtë qark dhe të votojë pro këtij qëndrimi me anëtarin e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Gjithë dynjaja e mësoi nga televizioni se votimi u nda 4 me 3 që të hiqet mandati nga Berati. Katër pro ishin, tre të PD dhe anëtari yt në KQZ! Turp dhe i neveritshëm të gënjesh kaq banalisht”, deklaroi Braçe. Sipas tij, Meta nuk duhej të ankohej as për infrastrukturën në këtë zonë, pasi ai ishte pjesë e qeverisë me tre ministra dhe për këtë qark duhej të ishte menduar më herët.


 


Problemet


Ditari i përplasjeve në koalicionin qeverisës pas mbylljes së verës


Tensionet midis PD dhe LSI pas zgjedhjes së Presidentit


Tensioni në aleancën mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë mjaft i theksuar pas zgjedhjes së Presidentit, kur thuhet se mes Sali Berishës dhe Ilir Metës nuk është zhvilluar madje as një takim direkt kokë më kokë. Përplasjet edhe pse jo direkte, patën një zhvillim ritmik kryesisht pas deklaratës së kreut të Kuvendit, Jozefina Topalli, për mundësinë e fitores së PD-së pa LSI-në. Deklaratës së Topallit iu përgjigj direkt Ylli Manjani, i cili theksoi se “LSI nuk është as bateri, as gjenerator për partitë e tjera. Është me vend të kujtoj që në 7 vitet e fundit, viti i 8 ky, është PD që qeveris. Nëse ka presion për rotacion, kjo i vjen PD-së, jo LSI-së. Nëse PD ka një çështje që do të prishë marrëveshjen politike, është problem i PD-së”. Këto deklarata u zbutën më pas, por gjithsesi, në horizont, nuk u duk një dashuri e fortë mes palëve, që gjithsesi arritën edhe në një moment tensioni në këshillin bashkiak të kryeqytetit, ku këshilltarët e LSI-së u “sëmurën” në një seancë kur do të miratoheshin vendime të rëndësishme. E fundit, ka qenë deklarata e Spartak Brahos, një nga drejtuesit e LSI-së, i cili theksoi se “Berisha e pakta është i sëmurë me sklerozë”, duke iu referuar qëndrimeve për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Lëvizja Socialiste për Integrim po mundohet të tregohet e mosinteresuar rreth mundësive që Qarkut të Beratit, t’i hiqet një deputet dhe ai t’i shtohet Qarkut të Kukësit. Pavarësisht kësaj qetësie në dukje, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se heqja e një mandati për këtë qark nuk i dukej shumë bindës. Sipas Metës, rëndësi kishte fakti se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vijojë të marrë një deputet në këtë qark, ashtu siç kishte bërë në çdo mandat. “Qarku i Beratit pakësohet me një deputet që për mendimin tim nuk duket shumë bindëse, por nuk është ky shqetësimi ynë. Edhe po të pakësohet me pesë deputetë, ne deputetin e kemi të sigurt”, deklaroi Ilir Meta dje përpara të zgjedhurve vendorë. Këtë qëndrim e përforcoi dje dhe sekretari zgjedhor i LSI-së, njëkohësisht nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani. Në një prononcim për “Shqip”, Manjani theksoi se çështja e mandatave nuk po diskutohej nga LSI-ja, sepse ajo nuk ishte politike, por një çështje e përcaktuar me ligj.


 


Manjani – “LSI nuk është as bateri, as gjenerator për partitë e tjera. Është me vend të kujtoj që në 7 vitet e fundit, viti i 8 ky, është PD që qeveris. Nëse ka presion për rotacion, kjo i vjen PD-së, jo LSI-së. Nëse PD ka një çështje që do të prishë marrëveshjen politike, është problem i PD-së”


Numrat – Qarku i Beratit me shumë gjasa në zgjedhjet e vitit 2013 do të nxjerrë vetëm 7 deputetë nga 8 në mandatin e kaluar. Kukësi pritet të ruajë mandatet e 4 deputetëve.


Debatet – Për ndarjen e mandateve, LSI ka qëndruar e heshtur ndonëse skeptike, por nga ana tjetër, PS-ja është treguar tepër e shqetësuar për këtë çështje.


 


Zgjedhjet


LSI-PDIU, drejt një aleance elektorale


Lëvizja Socialiste për Integrim muajt e fundit ka pasur një afrim të madh me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe zërat flasin për krijimin e një poli të tretë, i cili mund të dalë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pavarësisht se kjo lëvizje nuk është pohuar nga drejtuesit e këtyre partive, rezonanca mes tyre për shumë çështje këta muaj ka qenë e madhe. Zyrtarisht LSI ka deklaruar se nuk ka vendosur se me cilën nga forcat politike do të bëjë koalicion dhe se këtë do ta vendosë rreth muajit mars, në një kohë kur kjo parti do të mbledhë strukturat e saj. Dalja e mundshme nga koalicioni mund të përbëjë rrezik për PD-në e cila nga viti 2009 e shikon LSI-në si aleatin më të afërt në qeverisje.