Debati
BLEDAR HOTI
Dy draftet “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” dhe “Për përgjimet e telekomunikimeve” shkaktojnë përplasje të mëdha në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita akuzoi në Parlament se Ministria e Mbrojtjes ka përgjuar deputetët e opozitës dhe diplomatët e huaj. “Në këtë seancë projektligji është po aq i dyshimtë sa sjellja e kësaj qeverie për ngritjen e institucionit, që ka të njëjtat problemet, por problemet e vjetra përpiqet t’i mbulojë me ngritjen e një projektligji. Prej muajsh ky institucion është vënë në shërbim të Kryeministrit për përgjimin e opozitës dhe të ambasadave të huaja. Ligji është një përpjekje e Arben Imamit për të fshehur urdhrat nga dy çështje: 1. Përgjimi i opozitës dhe ambasadorëve; 2. Armatimi antikushtetues i Shërbimit Informativ. Synohet që përmes këtij projektligji të mbrohet me ligj kontrolli parlamentar i këtij institucioni. Synohet që drejtori që do të zgjidhet në detyrë t’i jepet një mandat kushtetues, në mënyrë që qeveria e ardhshme të mos ketë asnjë mënyrë të kryejë një funksion normal në këtë institucion”, theksoi Balla. Por një deklaratë e tillë u kontestua nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili u shpreh se “sigurisht që vazhdon shpifja e vazhdueshme, përgjimi i opozitës, përgjimi i ambasadave etj. Unë dua t’ju them se nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës. Përgjime të kësaj natyre nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen ndonjëherë”.
Isaraj
Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, gjatë diskutimit për draftin e “Përgjimeve të telekomunikimeve” nxori në skenë abuzimet e kryera nga qeveria, duke vënë në dukje përdorimin politik të Shërbimit Informativ Ushtarak. Deputeti i opozitës më pas paraqiti disa të dhëna që, sipas tij, faktojnë se SHIU është përdorur në mënyrë antikushtetuese nga ana e qeverisë. “Në zakonet e këqija të pushtetit të Saliut, vendin kryesor padyshim e zë 21 janari i 2011-s dhe ‘përgjimet’ e famshme parandaluese të SHIU-t. Ja disa prej tyre të ‘marra’ në datat 20 e 21 nga pajisjet e telekomunikimit ‘lëshuar’ në linjën drejtor-ministër-kryeministër (shkurt linja D-MM-KRYE.M): 1. Interceptime të përfituara në prefekturën e Gjirokastrës, tregojnë se demonstruesit para se të nisen në Tiranë me 10-12 autobusë, do të djegin degën e LSI-së… E dhëna mbyllet me frazën- ‘Duhet theksuar se në biseda nuk ka pasur shprehje për akte dhune’. (D-M-KRYEM); 2. Interceptime të përfituara në Prefekturën e Tiranës tregojnë se drejtues të PS-së, kanë gjetur një ‘Endacak’, të cilin do ta vrasin gjatë protestës. (D-KRYEM); 3. Interceptime të përfituara tregojnë se gjatë ditës grupe të caktuara po përgatisin armë e granata në afërsi të ‘Kafes së Rremës’ dhe në darkë do të bënin planin përfundimtar te bar restorant ‘Austria’. Transporti do të kryhet me mjete private. (D-M-KRYEM); 4. Interceptime të përfituara tregojnë se në Laprakë, ka interesim për blerje çadrash me bishta të gjatë, të cilat do të modifikohen me shufra të rënda hekuri. Linja (D-direkt-KRYE.M); 5. Interceptime të përfituara në Prefekturën e Elbasanit, më konkretisht në Qukës të Librazhdit, japin të dhëna se oficeri N.N., i vëllai i tij F.N. (kryetar i PS-së së njësisë), së bashku me Taulant Ballën, po shpërndajnë lekë për 20 persona, që këta të vijnë në protestë. Linja (D-M-KRYEM; 6. Interceptime të përftuara që tregojnë se: Ushtari profesionist E.B. do të përgatiste 10 bomba molotov, por u neutralizua, se atë ditë e vunë në shërbim. Vazhdon ‘diarreja’ inteligjente me ushtarakun nga Brari, D.K., i cili ofron armë falas për protestën, pastaj me qytetarin nga Peshkopia A.H.M. dhe pastaj me qytetarin J.B.U (55 vjeç) që komunikonin me protestues të mundshëm në lidhje me dhunën që do të ushtronin”, theksoi Isaraj.
Përplasje të forta në Kuvend për dy draftet e shërbimit ushtarak informativ dhe përgjimet
Akuza – “Ligji është një përpjekje e Arben Imamit për të fshehur urdhrat nga dy çështje: 1. Përgjimi i opozitës dhe ambasadorëve; 2. Armatimi antikushtetues i shërbimit informativ. Synohet që përmes këtij projektligji të mbrohet me ligj kontrolli parlamentar i këtij institucioni”
68 vota pro – Ligji “Për Agjencinë Inteligjente të Mbrojtjes” mori 68 vota pro. Ndërsa 48 vota kundër ishin nga PS-ja. Abstenimi erdhi nga deputeti Ruka i PS-së
50 kundër – 50 deputetët e PS-së votuan kundër draftit “Për përgjimet e telekomunikimeve”. Pro votuan 68 deputetët e PD-së, si dhe aleatët e tyre
Berisha – Kryeministri Sali Berisha ka munguar në seancën e djeshme parlamentare. Kjo ka ndikuar për mirë, pasi seanca parlamentare mbaroi shumë herët
Testamentet – Me konsensus, me 118 vota pro kaloi Konventa e Hagës, “Për konfliktet e ligjeve në lidhje me reformën e disponimeve testamentare”
Aleatët – PD-ja i kaloi këto ligje falë mbështetjes së aleatëve të saj, si PR, LSI dhe PDIU. Kreu i LSI-së, Meta, ka qenë i vetmi që ka munguar në seancë
Socialisti
Lutaj: E bunkerizuat ministrinë si në kohën e Traktatit të Varshavës
Deputeti i PS-së, Piro Lutaj, duke folur në emër të grupit në lidhje me ligjin për “Agjencinë Inteligjente të Mbrojtjes”, akuzoi Imamin për bunkerizim të ministrisë. “Ju mund të vazhdoni ta bunkerizoni Ministrinë e Mbrojtjes më keq se në kohën e traktatit të Varshavës, por unë ju siguroj se do të vijë dita që së shpejti në atë ministri do të bjerë ky mur dhe atje do të dalin xhevahire që ka për t’u tronditur bota. Ne nuk do të rrimë dhe do të ngelemi në idetë tuaja se çdo gjë është sekret. Ne i dimë rastet kur bëhet fjalë për sekret dhe njohim konceptin e sigurisë kombëtare, por ne flasim për një korrupsion galopant, për një shkelje drastike të ligjit në Ministrinë e Mbrojtjes, që fillon me buxhetin, me të drejtat e qytetarëve që vepron nëpërmjet një shërbimi që vepron në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe sot me një superligj që ju kërkoni ta nxirrni nga hapësirat e reparteve ushtarake”, tha Lutaj. Sipas tij, një ligj nuk mund të zbatohet në manualet e NATO-s, por duhet një paketë e plotë ligjore të Forcave të Armatosura.
Ministri
Pollo: Akuzat e opozitës janë karagjozllëqe kreative
Fjalimi ironik i deputetit të PS-së, Isaraj, i shoqëruar me humorin e socialistëve në sallë, nuk i ka pëlqyer mazhorancës, të cilët kanë reaguar menjëherë. Kështu Topalli nuk i la mundësi të flasë, duke i thënë se “nuk të vë në listë Edi Rama, pavarësisht humorit që bëtë në sallë dhe përrallave me mbret që treguat”. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, në fjalën e tij u shpreh se “është e lehtë të qeshësh dhe të zbavitesh kur dëgjon karagjozllëqe kreative si ato na dëgjuan veshët pak më para. Na kujtohet 21 janari, shprehim keqardhjen për ato 4 që humbën jetën, siç është rasti i duhur që shprehim keqardhjen, përkrahjen e solidaritetin nga ata shumë të tjerë të Gardës, të policisë që u lënduan në mbrojtje, duke sakrifikuar për të mbrojtur rendin kushtetues dhe demokratik”. Ministri bëri të ditur se ligji “Për përgjimet” erdhi dhe si kërkesë e bërë nga kreu i atëhershëm i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Ndërsa për heqjen e kompetencës së prokurorisë, Pollo u shpreh se kjo do t’i lihet për vlerësim kryeprokurorit të ri Llalla.