Salihi, Bogdani, Sadiku e Cani janë vënë në vitrinë nga skuadrat e tyre


Altin Manallari


Duket se tradita po respektohet vit pas viti. Me gjithë përparimin që ka bërë futbolli apo edhe futbollistëve shqiptarë, pjesa dërrmuese e lojtarëve të kombëtares së Xhani de Biazit nuk kanë mundur të zënë një vend të rëndësishëm në skuadrat në të cilat luajnë. Dhe tashmë po përsëritet rituali i përvitshëm: shumica e futbollistëve të përfaqësues sonë përfundojnë në merkaton e dimrit nga skuadrat e tyre, që nga Bogdani e Salihi, deri te më të rinjtë, Sadiku e Çani. Sadiku është ndër më interesantët, për vetë faktin se ai është një lojtar me një karrierë në ngjitje. Sipas lajmeve të bëra të ditura vetëm dje nga mediat ndërkombëtare, sulmuesi elbasanas, i cili prej verës së fundit militon në radhët e Luganos në (kategorinë e dytë zvicerane), është bërë objekt dëshirash i shumë skuadrave të njohura të futbollit europian. Vërtet nuk flitet për emra “big”, por skuadrat që interesohen për Sadikun nuk janë për t’u nënvlerësuar, sepse në kampionatet e tyre përkatëse kanë shkruar historinë. Lajmi më i ri ka të bëjë se në garën për të marrë shërbimet e sulmuesit është futur më në fund edhe Torino, skuadra e dytë e qytetit me të njëjtit emër, por që qëndron nën hijen e Juventusit. Ky ekip po përjeton një periudhë jo të mirë në Serinë A, ku po lundron shumë pranë zonës së ftohtë të rënies në Serinë B. Ndaj mendon se një ndërhyrje emergjente do të duhet të bëhej në repartin e sulmit. Mes kandidatëve favoritë është përfshirë së fundmi edhe 21-vjeçari Armando Sadiku. Sipas medias italiane, ai shikohet si një sulmues i fuqishëm, i shpejtë dhe i aftë të shënojë 11 gola deri tani në kampionatin zviceran. Torinon duket se e josh fakti se Sadiku është një lojtar, i cili gëzon edhe një konsideratë të ish-trajnerit të Torinos, Xhani de Biazi, i cili aktualisht drejton kombëtaren e Shqipërisë. Shumë e interesuar për Sadikun rishfaqet dje edhe Siena. Por, sipas mediave italiane, beniamini i De Biazit po ndiqet me vëmendje edhe nga Atalanta, Bolonja, Kaljari dhe Udineze, përveç Augsburgut dhe Mynshen Gladbahut në Gjermani, Servete e Bazeli në Zvicër. Por të tjerët nuk kanë të njëjtin luks me Sadikun. Mes tyre Hamdi Salihi. Bomberi shkodran, i transferuar në kampionatin amerikan (MLS) te DC Junajtid, është tashmë jashtë planeve të skuadrës për sezonin e ardhshëm dhe në janar do të duhet të gjejë një skuadër. Për të përflitet një rikthimi i mundshëm tek ish-skuadra e tij, Riedi, me të cilën u bë i njohur në Austri. Bogdani, nga ana e tij, nuk po gjen hapësira te Siena dhe shikohet si shumë i mundshëm kalimi i tij te një tjetër skuadër e Serisë A, Peskara, që është në luftë për t’i shpëtuar rënies. Çani nuk është shumë i pëlqyer te Polonia e Varshavës dhe rikthimi i tij në Itali është shumë i mundshëm.



Sadiku – Torino i shtohet listës së të interesuarve, ku tashmë renditen Siena, Fiorentina, Atalanta, Bolonja, Kaljari, Udineze, Augsburgu, Mynshen Gladbah, Servete e Bazeli


Salihi – Shkodrani është lënë jashtë planeve të trajnerit të DC Junajtid dhe përflitet një rikthim i mundshëm tek ish-skuadra e tij, Riedi, me të cilën u bë i njohur në Austri


Çani – Edgar Çani nuk është shumë i pëlqyer te Polonia e Varshavës pas problemeve të shfaqura në këtë fazë të parë të sezonit dhe rikthimi i tij në Itali është shumë i mundshëm


Bogdani – Erjon Bogdani, nga ana e tij, nuk po gjen hapësira te Siena, ku aktivizimi i tij në ndeshjet e fundit ka qenë me pikatore. Dhe aktualisht shikohet si shumë i mundshëm kalimi i tij te një tjetër skuadër e Serisë A, Peskara, që është në luftë për t’i shpëtuar rënies