Së paku 27 vetë rezultojnë të vdekur, përfshirë shumë fëmijë


Dyshohet se autori i masakrës së djeshme në shkollën fillore “Sandy Hook” është Adam  Lanza, 2o vjeç, djali i njërës prej mësueseve të këtij institucioni arsimorë. Mediat ndërkombëtare kanë rindërtuar skenën e krimit. Kështu sipas gazetës New York Times, Lanza fillimisht vrarë nënën në banesën e  tyre,  pastaj ka shkuar në shkollë ku ka qëlluar mbi 18 nxënës të klasës së të ëmës dhe në fund edhe gjashtë persona të rritur, para se të ekzekutojë edhe veten.


Adam Lanza, autori i masakrës së Connecticut, vuante nga probleme të personalitetit dhe ishte i prekur nga sindroma Asperger, një formë e rëndë autizmi. Kjo është mësuar nga Ryan, i vëllai më i madh i tij, i cili fillimisht u ndalua nga policia me dyshimin se ishte i përfshirë në ngjarje, por më pas u la i lirë.


Adam jetonte me të ëmën Nancy në Connecticut, pas divorcit të prindërve, ndërsa Ryan Lanza, 24 vjeç, jeton në Hoboken, në New Jersey me të atin, Peter. Megjithëse i vëllai u lirua, policia ka sekuestruar kompjuterat dhe po verifikon telefonatat e tij.


Sipas New York Times, Adam ishte i shkëlqyer në matematikë, megjithëse sipas të dhënave nuk kishte arritur të përfundonte liceun. Adam është përshkruar si i ndrojtur, i rezervuar dhe me vështirësi për tu shoqëruar me njerëzit e tjerë, të cilët shpesh herë e shmangnin. Sipas New York Timers, që ka mbledhur dëshmi të ish-shokëve të tij të shkollës, Lanza merrte gjithmonë në klasë në çantë të zezë dhe ulej gjithmonë pranë derës, gati për të dal. Kur pyetej në mësim, shfaqej nervoz dhe përgjigje me vështirësi.  I zbehtë, i gjatë dhe i dobët, Adam Lanza, pa precedentë penal, nuk kishte profil në Facebook. Adam nuk shfaqej as në librin e kujtimeve të klasës në 2010. Në faqen e bardhë shkruhet: “i ndrojtur me aparatin fotografik”. Ish-shokët e tij që janë diplomuar në 2010, këmbëngulin se ai nuk ka arritur të mbarojë shkollën. Sipas dëshmive të tjera të shkove adoleshenca e tij ka qenë e turbullt, në vitin 2006, i vëllai Ryan, u diplomua dhe u regjistrua në Quinnipiac University, në Connecticut, duke e lënë vetëm me prindërit, Peter e Nancy Lanza, në një moment që martesa e tyre ishte në krizë. Ata divorcohen dy vit më pas. I ati, përgjegjës financiar në General Electric, transferohet në Stamford dhe në janar të vitit 2011 martohet sërish. Ndërsa e ëma qëndron në Newtown dhe jetonte 5 milje larg shkollës fillore ku jepte mësim, bashkë me Adam.


Shqiptarja e mbijetuar


Një ndër të mbijetuarat e tragjedisë është 9-vjeçare, Venesa Bajraliu, shqiptarja me origjinë nga Kosova, e cila ka treguar se ka mundur të shpëtojë duke u fshehur në një dollap. Ajo ka treguar se një polic u kishte thënë të kapeshin për dore dhe të ecnin me sy mbyllur. “Në momentin që hapa sytë, ishim jashtë shkollës”, ka thënë ajo. Mërgim Bajraliu, vëllai i saj, 17 vjeç, ka treguar se ndodhej në shtëpinë e tij bashkë me të ëmën në momentin e ngjarjes. Pasi dëgjuan për të të shtënat, ata vrapuan menjëherë për tek e motra, Venesa.


“Isha ndër personat e parë që shkuan aty, ndërkohë që krismat vazhdonin ende. Një vajzë doli me fytyrë të gjakosur. Nuk di ta përshkruaj me fjalë se çfarë ndjeva kur pashë atë vajzë dhe nuk po gjeja dot motrën time. Motra më tha që policët i kishin kërkuar asaj dhe fëmijëve të tjerë që mbijetuan, që të mbyllnin sytë për të mos parë se ç’kishte ndodhur përreth”, – rrëfen Bajraliu.


Obama: Të bashkohemi me dhimbjen e prindërve


Presidenti amerikan Barak Obama, gjatë fjalimit të së shtunës në radio, u bëri thirrje amerikanëve, t’i bashkohen në shenje solidariteti dhimbjes së prindërve që humbën vogëlushët e tyre, në masakrën e shkollës fillore “Sandy Hook”.

Ai kërkoi të lihet mënjanë politika dhe të ndërmerren veprime të rëndësishme për të ndaluar të tilla tragjedi. Duke iu referuar ngjarjeve të këtij viti ai tha:


“Secila prej lagjeve mund të ishte ajo ku ne jetojmë, kësisoj duhet të bashkohemi, të ndërmarrim veprime të rëndësishme për ti parandaluar. Këtë javë, Mishel dhe unë do të bëjmë atë që do bëjë çdo prindër tjetër, po shtrëngojmë fort fëmijët tanë. Ka familje në Connecticut që s’mund ta bëjnë dot sot. Ata kanë nevojë për ne, megjithëse asgjë s’mund të zëvendësojë jetën e një fëmije të humbur apo të një personi të dashur, por ne të gjithë mund t’u shtrijmë dorën, për t’i kujtuar, se jemi për ta, lutemi për ta dhe se dashuria për ata që humbën do të zgjasë në kujtimet e tyre, në komunitetet e tyre, në vendin e tyre”, tha Obama.


Ngjarja


Një i çmendur tronditi dje Amerikën duke shkaktuar së paku 27 të vdekur dhe duke plagosur shumë të tjerë kur hapi zjarr papritur në oborrin e një shkolle fillore në shtetin e Konektikatit, raporton media amerikane. Së paku 18 fëmijë rezultojnë të vrarë në shkollën Sandy Hook në qytetin Njutoun, raporton Associated Press.


Kjo është vrasja e dytë më masive në historinë e SHBA-ve. Më herët, një njeri hapi zjarr dhe vrau 32 vetë në Virxhinia.


 


Lajmet e fundit mbi vrasjet në SHBA


• 27 vetë, përfshirë 18 fëmijë, janë vrarë – CBS News


• Psikologu kryesor i shkollës mes të vrarëve – CNN


• I dyshuari për vrasjet qe i armatosur me katër armë dhe kishte veshur jelek antiplumb – ËABC


• Shtëpia e Bardhë: Obama është njoftuar për vrasjet në shkollë dhe po merr informacion shtesë


• Gjehet një trup i pajetë gjatë kërkimit për shtëpinë e vrasësit – CBS News


Vrasësit në historinë amerikane


1984: James Oliver Huberty qëllon për vdekje 21 vetë në një restorant McDonald’s në Kaliforni.


1986: Punonjësi i Postës Pat Sherrill vret 14 vetë në një zyrë poste në Oklahoma


1991: George Hennard vret 23 vetë në një kafene në Teksas


1999: Dy studentë në shkollën e mesme Kolumbajn vrasin 13 dhe plagosin 20 të tjerë para se të vrisnin


2007: Një student vret 32 vetë dhe plagos shumë të tjerë në universitetin Teknologjik të Virxhinias


2009: 13 njerëz vriten në kur u hap zjarr masiv pranë bazës ushtarake në Ford Hood të Teksasit