ARTUR BAKU
Këtë 100-vjetor, përveç debateve për rishikimin e historisë, figurave historike, u hap dhe një lloj debati lidhur me identitetin Kosovar dhe Shqiptar. A ka një identitet Kosovar dhe një identitet Shqiptar? A është pavarësia e Kosovës momenti i ngjizjes së identitetit Kosovar? Një debat i tillë, jo rastësisht u mediatizua këto ditë, kur shqiptarët festuan ditën më shënjuese të identitetit të tyre, 100-vjetorin e Pavarësisë, ditë ku gravitacioni i identitetit kombëtar është më tërheqës se kurrë.
Palët e përfshira në këtë debat japin argumente dhe kundërargumente, besimtarët e identitetit Kosovar e argumentojnë tezën e tyre me faktin se, Pavarësia e Kosovës është dhe momenti kur ka filluar formësimi i identitetit Kosovar, i cili ka simbolikat e tij, të cilat i japin formë këtij identiteti të ri.
Raporti i individit me kombin e tij është një raport kulturor, historik, politik, gjuhësor, shpirtëror, dokesh, zakonesh, etj. Ndërsa raporti i qytetarit me shtetin e tij është kryesisht një raport juridik të drejtash dhe detyrimesh të ndërsjella, që burojnë nga aktet themeltare të shtetformimit, si dhe në të gjithë kornizën ligjore. Maks Weber bënte dallimin e qartë midis rendit shtetëror dhe fuqisë së tij (Staatpolitisch) nga ai i kombit dhe i kulturës (Kulturpolitisch)
Ky lloj dallimi bazohej në dy ide themelore. E para pranon se shteti është instrument i kombit dhe se nuk mund të ketë komb pa shtet. E dyta thotë se ekziston një lidhje e domosdoshme ndërmjet përmasës së brendshme të kombit dhe veprimit të jashtëm të tij.
Shteti, mekanizmi i ftohtë që Hobsi e quante Levantiani, ka si qëllim garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të tij dhe jo vetëm, por dhe të atyre të cilët nuk janë shtetas, por persona me leje qëndrimi të përkohshme, rezidentë, etj. Shteti si bashkësi institucionesh dhe mjetesh kontrolli dhe detyrimesh, ka për qëllim të garantojë lidhjen e brendshme të njësive politike, si dhe t’u lejojë atyre që të ushtrojnë veprimet e tyre në botën e jashtme, është në të njëjtën kohë shprehja dhe vegla e çdo njësie politike moderne.
Ndërsa koncepti i kombit shkon përtej mekanizmit të ftohtë të Levantianit, lidhjet midis bashkëkombësve, solidariteti i tyre nuk buron nga detyrimet ligjore, por nga lidhje të natyrave historike, kulturore, gjuhësore, shpirtërore, etj. Janë këto lidhje të cilat përbëjnë dhe pigmentin e identitetit kombëtar të farkëtuar ndër shekuj, mes sfidave ekzistenciale që kombet kanë kaluar. Shpesh koncepti i kombit i mbivendoset konceptit të shtetit, kjo ndodh sepse çdo shtet mëton të jetë shprehja e një kombi demokratik, ky ambiguitet i termit komb në jetën shoqërore rrjedh nga fakti se ai është lidhur domosdoshmërisht me parimin modern të ligjshmërisë politike dhe me bazat e lidhjeve shoqërore.
Për gati gjysmë shekulli, kombi gjerman u nda në dy shtete, Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore, gjatë ekzistencës së dy shteteve gjermane nuk u fol kurrë për identitet kombëtar gjermanolindor dhe identitet kombëtar gjermanoperëndimor, por për një komb gjerman të ndarë në dy shtete. Kombi gjerman asokohe, megjithëse ishte i ndarë në dy shtete që kishin strukturë diametralisht të kundërt social – politik, me ngarkesa të forta ideologjike, përkatësia kombëtare nuk u zvetënua për asnjë çast. Të gjithë i kemi përjetuar pamjet e rënies së murit të Berlinit, ku njerëzit me duar, me mjete rrethanore kazma, kërkonin të shembnin murin ideologjik mbi të cilin ishte ndarë kombi. Ndjesia për kombin gjerman ishte më e fortë se çdo lloj ideologjie.
Ernest Renan (1823–1892) filozof dhe politolog francez, e përshkruante kombin si: një parim shpirtëror, pasojë e koklavitjeve të thella të historisë. Është një familje shpirtërore dhe jo një grup i përcaktuar nga përvijimi i truallit.
Rrugëtimi i Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetformimit, është një kalavar i gjatë luftërash dhe qëndrese që shqiptarët kanë zhvilluar në përpjekjet e tyre për shtetformim. Është produkt i shpirtit shqiptar. Patriotë të tillë si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Adem Jashari, luftërat e tyre për liri nuk i kanë ndërmarrë nën moton e një identiteti kosovar, por si shqiptarë që kërkojnë liri dhe të drejtën për të pasur një shtet mbarëshqiptar. Përpjekjet dhe sakrificat e tyre janë në sinergji të plotë me identitetin kombëtar shqiptar.
Që të ndërtohet një identitet i ri kombëtar, duhen disa simbole që unifikohen me këtë lloj identiteti, lidhja që shqiptarët e Kosovës kanë me flamurin kombëtar është një lidhje që vjen nga thellësia e shekujve e ngjizur ndër luftëra për mbijetesë, është një ndjesi që shqiptarët e Kosovës e kanë po aq të natyrshme sa dhe shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Nuk është ajo ndjesi që i jep simboli i shtetit të ri të Kosovës, flamuri me sfond blu dhe 6 yje, produkt i një kompromisi dhe negociatash.
Pavarësia e Kosovës sigurisht është ngjarja më madhore që shqiptarët kanë përjetuar në këtë shekull, kjo ngjarje madhore nuk e bën profan identitetin e shqiptarëve të Kosovës ndaj identitetit kombëtar.
Kjo ngjarje historike nuk mund të perceptohet si momenti i ngjizjes së një identiteti të ri, nuk është “big bang” zanafillor për një identitet të ri kosovar. Kosova është pjesë e universit shqiptar, që “big bang”-un e tij e ka përjetuar shekuj më parë. Kosova është një prej yjësive më të spikatura të universit kombëtar shqiptar. Në këtë konstelacion vlerash historike, kulturore, shpirtërore, identiteti shqiptar ka të njëjtin gravitacion si në Tiranë edhe në Prishtinë, ndaj dhe mbivendosja e identiteteve të tjera është e destinuar të përthithet nga gravitacioni i identitetit shqiptar.